Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit

Ministri i Arsimit denoncohet për kërcënim nga zyrtari i ministrisë

Një zyrtar i Ministrisë së Arsimit ka raportuar në polici një rast kërcënimi që sipas tij i ka bërë Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ferit Idrizi, U.D. Drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Çështje Ligjore  tha se dje i ishte kërkuar nënshkrimi i një opinioni ligjor dhe pas refuzimit të tij, ministri i kishte folur me tone të ashpra.

“Dje rreth orës 15 kemi pasur një takim, është ndërlidhur me një opinon që nuk e kam nënshkruar, një opinion ligjor. Opinioni ishte dashtë të përgatitet nga zyra ligjore ndërsa mua ma kanë sjellë një dokument të gatshëm me nënshkru. U qu në këmbë, ka bërtitë dhe u afru te shishja e qelqit për me më goditë. Unë jam dalë mandej”, tha Idrizi për KALLXO.com.

Ai sqaroi se opinion ligjor kishte të bënte lidhur me një udhëzim administrativ për rregullimin e punës së ankesave në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Denoncimin e këtij rasti e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot në orën 13 e kemi pranuar një informatë për një mosmarrëveshje, të cilin rast jemi duke e trajtuar me organet përkatëse”, tha Flora Ahmeti, zëdhënëse në Rajonin e Prishtinës.

Në një deklarim publik Ministria e Arsimit e pranon se ministri ishte ‘detyruar ta largojë nga mbledhja Idrizin’.

“MAShT sqaron opinionin publik se për shkak të sjelljeve të pahijshme të z. Idrizi, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT, ministri ka qenë i detyruar për të kërkuar nga z. Idrizi që t’ia lirojë zyrën”, thuhet në reagim.

Megjithatë ata insistojnë se “të gjitha pretendimet e z. Idrizi, që sot kanë qarkulluar në opinion janë shpifje, si dhe çdo deklaratë e tij se kinse ministri ka kërkuar nga z. Idrizi të nënshkruajë ndonjë dokument që bie ndesh me ligjin nuk është e vërtetë”.

Ata po ashtu kanë informuar se do të marrin masa për atë që e kanë quajtur shpifje nga ana e këtij zyrtari.

Idrizi ka ndarë edhe emailin që thotë se i ka dërguar Ministrit pas incidentit.

“Jam i shokuar nga sjellja juaj ndaj meje! Ju sot me kërcënuat hapur dhe fyet rënd dinjitetin tim, ishte është një kërcënim i hapur fizik ndaj meje sepse unë nuk e nënshkruajta një dokunent që e sollët ju e të cilin zyra ligjore e modifikoj pasi kishte të gjetura të shumta. Unë u gjenda në një pozitë të rëndë kur ju u ngritët në këmbë dhe më përzutë nga zyra… Unë e nënshkruajta interpretimin të cilin e kishte përgatitur z. Bashkim Shala zyrtar ligjor në MAShT sipas procedurave dhe më kishte dërguar përmes imelit, por nuk nënshkruaj dokumente të cilat kjo zyre i konsideron të jashtëligjshme”, thuhet në shkresën e Idrizit.

Kujtojmë se Idrizi ka qenë kandidat i PDK-së për Kryetar të Komunës së  Vushtrrisë ndërsa Ministri i Arsimit vie nga Nisma Socialdemokrate.

KALLXO.com ka raportuar më 31 maj për miratimin e  rregullores së Komisionit të Ankesave (KA) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në mbledhjen e 72-të të KSHC-së, me tetë vota pro, u votua dhe u miratua rregullorja me të cilën Komisioni i Ankesave (KA) do të fillojë rishqyrtimin e ankesave nga institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vendin tonë.

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mbledhjen e kaluar, kishte kërkuar që të pezullohet rregullorja me të cilën kishte qenë duke punuar Komisioni i Ankesave, si dhe kishin kërkuar interpretim të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, mbi kompetencat e këtij komisioni.

E gjithë kjo kishte ndodhur, kur Bordi ishte informuar se nuk e kanë votuar asnjëherë versionin përfundimtar të kësaj rregulloreje, si dhe pas informimit se Komisioni i Ankesave, kishte filluar të jap vendime për kthimin e akreditimit të programeve studimore.

Në interpretimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, drejtuar Agjencisë së Kosovës për Akreditim, thuhet se Neni 22 i këtij Udhëzimi Administrativ, i cili flet për të drejtën ankimore, nuk i jep të drejtë Komisionit të Ankesave që të jap ose heq akreditimin.

“Këshilli është organi më i lartë vendimmarrës, i cili, ndërmjet tjerash, është i veshur me kompetencë lëndore për të dhënë ose hequr akreditimin e programeve, bartësve të arsimit të lartë. Prandaj Komisioni i Ankesave i parashikuar në Nenin 22 të Udhëzimit Administrativ 15/2018, gëzon thjeshtë dhe vetëm mandat të shqyrtimit të procedurës së vendimmarrjes në instancë të dytë, dhe në rastet kur gjen një shkelje të tillë, i rikthen Këshillit rastin për rivendosje në meritë”, thuhet në interpretim.

Sipas këtij interpretimi ligjor, kompetenca e Komisionit të Ankesave është shqyrtimi i ankesave të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat, dhe nëse gjen shkelje procedurale gjatë trajtimit të aplikimeve për akreditim, t’ia kthejë në shqyrtim Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

https://kallxo.com/keshilli-shteteror-i-cilesise-miratoi-rregulloren-e-komisionit-te-ankesave/?fbclid=IwAR0PauMzzv9ifmdkxXmYLpBEYhhxjnQujZLRtCvJ2qq_PcU9aEKK_wB9NAo