Foto: Komuna e Prizrenit
Në Prizren Mashtrohet Konsumatori, Haskuka e Denoncon Rastin
Një qytetar i Komunës së Prizrenit ka denoncuar mashtrimin që i është bërë në një qendër tregtare në këtë qytet.
Çmimi i produktit që ka figuruar në rafte si çmim me zbritje, në fakt nuk ka qenë me zbritje, por i është shitur konsumatorit me çmimin paraprak.
Këtë informacion e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Ai ka treguar se ndaj palës menjëherë është bërë kërkesë për fillimin e procedurës së kundërvajtjes në gjykatën themelore.
“Pas denoncimit të mashtrimit të konsumatorit nëpërmes ‘Qendrës së Thirrjeve’, Inspektoriati i Tregut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka vërtetuar këtë veprim mashtrues nga një qendër e madhe tregtare në qytet. Ndaj palës menjëherë është bërë kërkesë për fillimin e procedurës së kundërvajtjes në Gjykatën Themelore”, ka shkruar Haskuka në Facebook.
Ai ka falënderuar qytetarët që e ka lajmëruar rastin si dhe ka kërkuar nga qytetarët që të lajmërojnë për çfarëdo parregullsi që hasin.