Viktimat e fajdeve nuk u besuan institucioneve të drejtësisë, rastet i raportuan në KALLXO.com

Në emisionin “Kallxo Përnime” po trajtohet dosja e fajdeve në rajonin e Pejës.

Driton Podrimqaku ishte denoncuar para disa vitesh në KALLXO.com për një rast të dyshimtë të fajdeve.

Viktima kishte rrëfyer se ishte viktimë e një procesi të gjatë të fajdeve, por ai atëherë nuk kishte besuar të shkonte në Prokurorinë e Shtetit që ta paraqiste rastin apo në Polici por në KALLXO.com.

Pas kësaj ai kishte pranuar që të paraqitej edhe në Prokurorinë e Pejës dhe kishte denoncuar rastin.

Lumturie Vuqetaj, prokurore në Prokurorinë e Pejës, ka thënë se viktima fillimisht ka qenë i shqetësuar dhe i frikësuar duke thënë që s’ka besim në këto institucione.

“Ne e kemi bërë që të rritet besimi i tij ndaj këtyre institucioneve dhe duke parë që serioztiteti i Prokurorisë është në nivel dhe duke vepruar ashtu siç e parasheh ligji dhe në fund u finalizua rasti me aktgjykim dhe vërtetim në Gjykatën e Apelit” – tha Vuqetaj.

Driton Podrimqakut, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Pejës për fajde, i është refuzuar ankesa nga Gjykata e Apelit.

Podrimqakut nga Gjykata e shkallës së parë i ishin shqiptuar gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Identifikimi i të dyshuarit për fajde erdhi pas raportimit të KALLXO.com.