Foto: MKRS

Ministri Gashi në Obiliq: Shtëpia e Kulturës përfundon këtë vit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka premtuar të mërkurën në qytetit e Obiliqit se Shtëpia e Kulturës e këtij qyteti do të jetë gati deri në fund të këtij viti.

Këtë premtim ministri Gashi e dha gjatë një vizite që ka pasur sot, e mërkurë 12 shtator 2018, në qytetin industrial të Obiliqit.

Përmes një njoftimi, MKRS ka bërë të ditur se ministri Gashi ka vizituar të mërkurën Komunën e Obiliqit, me ç’rast fillimisht është pritur nga Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, i cili më pas e ka shoqëruar ministrin për vizitë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq dhe në stadiumin “Agron Rama”.

Sipas njoftimit kjo vizitë ka si qëllim koordinimin e aktiviteteve sa i përket investimeve.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke investuar në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, një projekt rreth 750 mijë euro dhe besoj që jemi te faza e fundit e këtij projekti. Sot jam edhe për ta vizituar kryetarin por edhe për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në atë objekt”, ka thënë ministri Gashi, gjatë kësaj vizite, thuhet në njoftimin e ministrisë.