Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri Bytyqi në Londër u Takua me Homologët e Rajonit

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në takimin e homologëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Londër.

Në këtë takim janë bërë edhe përgatitje për samitin e ministrave të Arsimit nga rajoni, i cili do të mbahet në korrik.

Përveç ministrave të Arsimit nga Ballkani Perëndimor në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Andrew Page, që do të jetë drejtor dhe koordinator i samitit.

Në komunikatën e MAShT thuhet është konkretizuar plani i takimeve paraprake. Ndërsa në fokus i veçantë i këtyre takimeve duket të jetë digjitalizimi.

“Është konkretizuar plani i takimeve paraprake, që nënkupton mbajtjen e një takimi në prill në Shkup, ku do të diskutohet digjitalizimi në arsim dhe një takimi tjetër në maj që do të mbahet në Sofje po për këtë qëllim”, njofton Ministria e Arsimit.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u aktualizua ideja e takimit të gjashtë ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të duhej të mbahet në Ballkan para samitit të Londrës.

Ndryshe, Bytyqi gjatë takimit ka thënë se rritja e cilësisë në arsimin parauniversitar dhe universitar janë prioritete të institucionit të cilin ai e drejton.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se takimi është pjesë e punimeve të Forumit Botëror të Edukimit 2018, i cili mbahet në Londër dhe e përmban diskutimin me temën “Politikat e edukimit për Revolucionin e 4-të Industrial – Përgatitja e nxënësve për sukses: të menduarit, të bërit, mirëqenia dhe të mësuarit”.