Referendumi në Kataloni. Foto: Twitter

Mijëra Policë Tërhiqen nga Katalonia

Forcat shtesë të policisë të cilat u dërguan në Kataloni para 1 tetorit, kur u zhvillua referendumi për pavarësimin e rajonit nga Spanja, kanë filluar të tërhiqen, ka njoftuar ministria e Brendshme e Spanjës.

Policia dhe Garda Civile, që u dërguan në fund të shtatorit në Kataloni, për të mbështetur forcat në këtë rajon, do të tërhiqen në faza deri më 30 dhjetor, njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, shkruan rtv21.tv.

Ky zëdhënës nuk deshi të japë detaje për atë se sa policë shtesë ka dërguar Madridi në Kataloni, por sipas gazetës El Pais bëhet fjalë për rreth 10 mijë pjesëtarë shtesë të forcave të rendit.

Ditën kur u zhvillua referendumi i ndaluar nga qeveria e Spanjës, pamjet e dhunës së ushtruar nga ana e policisë gjatë konfiskimit të kutive të votimit qarkulluan në gjithë botën dhe u mundësuan mbështetësve të pavarësisë që të akuzojnë qeverinë e Spanjës për represion.

Atë ditë u lënduan së paku 92 persona, por mbështetësit e pavarësisë këmbëngulën se mbi 900 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Katalonia u vendos nën kontrollin e Qeverisë në Madrid më 27 tetor, pasi që Parlamenti i Katalonisë votoi për shpalljen e pavarësisë.

Qeveria qendrore reagoi duke shkarkuar qeverinë rajonale, shpërbërë Parlamentin dhe shpallur zgjedhjet e parakohshme rajonale më 21 dhjetor.

Shumicën absolute në këto zgjedhje sërish e fituan partitë që angazhohen për pavarësi./21Media