LIVE - Qytetarët kërkojnë t`u lejohet tërheqja e 30% të mjeteve nga TRUST-i

Qytetarë të shumtë janë mbledhur para Qeverisë në shenjë proteste për lejim të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të TRUST-it.

Me thirrjet “TRUST-i është i joni – jo i qeverisë” , “Kursimet janë për ditë të vështira”, “Unë të votova ty, ti votoje trustin”, protestuesit kërkuan që Kuvendi të votojë pro tërheqjes së mjeteve.

Nexhat Lluminca, kryetar i Sindikatës tha se shumica e punëtorëve janë pro tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i

“Mbi 90 për qind e punëtorëve janë pro tërheqjes së trustit, kjo edhe për shkak të gjendjes me pandeminë. Ato nuk janë para të qeverisë, ata që nuk duan, mos t`i tërheqin. Në vend nuk ka punësim, lusim qeverinë të votojë për tërheqjen e mjeteve”, tha ai.

“Do vazhdojmë prapë me protesta nëse nuk votohet projektligj për tërheqje të mjeteve”.

Partitë opozitare në Kosovë po insistojnë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend Projektligji që mundëson lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional i Kursimeve TRUST.

Nën arsyetimin e gjendjes ekonomike në vend, opozita kërkon që nga TRUST-i të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind të mjeteve nga ana e qytetarëve.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).