Fotografi ilustruese.

Ish-komandantët amerikanë: SHBA nuk janë më të sigurta pas tërheqjes nga Afganistani

Një vit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, ende shtrohet pyetja: a ishte ky vendimi i duhur? Në një intervistë ekskluzive për korrespondenten e Zërit të Amerikës në Pentagon Carla Babb dy komandantët e fundit të Komandës Qendrore amerikane që mbikqyrën luftën në Afganistan, thonë se tërheqja nuk ishte vendimi i duhur.

Gushtin e vitit të kaluar, ndërsa ushtria amerikane po përfundonte tërheqjen e saj nga Afganistani, ushtria afgane u shpërbë menjëherë në mbarë vendin. Luftëtarët talebanë morën Kabulin dhe shkaktuan një evakuim kaotik.

Një vit më pas, në një intervistë të përbashkët ekskluzive me Zërin e Amerikës, dy komandantët e fundit që mbikqyrën forcat amerikane në rajon flasin hapur për gabimet në Afganistan.

“Mendimi im është se vendimi kryesor që shkaktoi ngjarjet tragjike gushtin e kaluar ishte vendimi ynë për ta lënë Afganistanin krejtësisht. Dhe ky vendim u shtri në kohë përgjatë dy presidencave”, thotë Gjenerali në pension Frank McKenzie, ish-komandant i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM).

Ekipi i ish-Presidentit Donald Trump filloi arritjen e një marrëveshjeje me talebanët për të tërhequr të gjitha forcat amerikane deri në maj të vitit 2021, dhe ekipi i Presidentit Joe Biden e vazhdoi këtë marrëveshje duke e shtyrë afatin deri në 31 gusht.

“Thjesht nuk e pranoj idenë se duhej t’i largonim të gjithë”, thotë Gjenerali në pension Joseph Votel, ish-komandant i CENTCOM-it.

Si Gjenerali McKenzie, i cili drejtoi tërheqjen si komandant i CENTCOM-it, ashtu edhe pararendësi i tij Gjenerali Votel, mendojnë se një minimum prej 2500 forcash amerikane duhej të qëndronin për të mbajtur forcat afgane të angazhuara në betejë.

“Ndodhi kolapsi dhe humbën vullnetin për të luftuar. 2500 forca do të na kishin mundësuar një seri bazash të forta në Afganistan, përfshirë Bazën Ajrore Bagram. Do të na kishin dhënë mundësinë të vazhdonim mbështetjen për sistemin logjistik afgan. Do të na kishte dhënë mundësinë të vazhdonim mbështetjen për Forcat Ajrore afgane”, thotë Gjenerali McKenzie.

Presidenti Biden mbrojti një vit më parë vendimin e tij për të tërhequr të gjitha forcat amerikane.

“Nuk do ta zgjasja këtë luftë të përhershme dhe këtë tërheqje të përhershme. I pyes ata që kërkojnë një dekadë të tretë lufte në Afganistan, cili është interesi jetik kombëtar? Nga këndvështrimi im, kemi vetëm një – të sigurohemi që Afganistani nuk do të përdoret ndonjëherë për të sulmuar atdheun tonë”, tha Presidenti Biden.

Presidenti ende mbështet vendimin e tij, duke përmendur një goditje të fundit ajrore amerikane që vrau udhëheqësin e al-Kaidas Ayman al-Zawahiri, si një provë se strategjia kundër terrorizmit e Shteteve të Bashkuara po funksionon pa praninë e forcave në terren.

“I premtova popullit amerikan se do të vazhdonim me operacione të efektshme kundër terrorizmit në Afganistan dhe më gjerë. Kemi bërë pikërisht këtë gjë”, tha Presidenti Biden.

Por, dy gjeneralët që drejtuan Komandën Qendrore amerikane gjatë pjesës së fundit të pranisë së atjeshme 20-vjeçare, thonë se të dhënat e zbulimit të mbledhura nga shërbimet amerikane për grupet terroriste në Afganistan përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të të dhënave që mblidheshin përpara largimit, dhe gjeneralët kanë frikë se tashmë amerikanët mund të jenë më pak të sigurtë.

“Nuk mendoj se jemi më të sigurtë, si rezultat i tërheqjes nga Afganistani”, thotë Gjenerali McKenzie.

“Ka shumë gjëra që nuk dimë për organizatat terroriste, që lamë në terren. Kemi shumë punë për të bërë dhe nuk mendoj se jemi më të qëndrueshëm, apo më të sigurtë. Mendoj se Afganistani është më i paqëndrueshëm dhe si rezultat, ky rajon është më i paqëndrueshëm”, thotë Gjenerali Votel.

13 ushtarakë amerikanë dhe të paktën 170 persona të tjerë u vranë nga një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik gjatë ditëve të fundit të evakuimit amerikan. Ishte dita me më shumë viktima në radhët e forcave amerikane në një dekadë.

Gjatë dy-javëve u evakuuan mbi 120 mijë persona, por dhjetëra mijëra aleatë të Shteteve të Bashkuara u lanë pas. VoA