Deputetja e Parlamentit të Katalonisë nga partia “Junts per Catalunya”, Marta Madrenas Mir. Foto nga arkiva e Marta Madrenas Mir.
Deputetja katalanase: Njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja i hap shteg Katalonisë
Katalonia duket sikur e ka pritur krahëhapur vendimin e Spanjës për të njohur pasaportat e zakonshme të Kosovës, meqë po e konsideron si hapje të shtegut për njohjen e pavarësisë së saj.
Deputetja katalanase e legjislaturës së 15-të të Spanjës nga partia Bashkë për Kataloninë (Junts per Catalunya), Marta Madrenas i Mir, vlerëson që pas vendimit për njohje të pasaportave kosovare, hapi tjetër logjik do duhej të ishte njohja e shtetësisë së Kosovës.
“Është një vendim i mirë sigurisht [vendimi i Spanjës për njohje të pasaportës së Kosovës]. Ajo që ishte absurde ishte mosnjohja e tyre”- shprehet Madrenas i Mir në një intervistë për KALLXO.com.
Sa herë vjen puna te çështjet politike dhe territoriale Kosova dhe Katalonia vendosen në tavolinë si mostra krahasuese, ani pse rastet nuk kanë ngjashmëri të mëdha.
“Unë mendoj sepse nëse një shtet njeh një vend që ka bërë një deklaratë të njëanshme të pavarësisë, për nga konsistenca do të duhej që të njihte edhe Kataloninë gjithashtu”- thotë deputetja katalonase.
Marta Madrenas Mir është një politikane dhe avokate spanjolle nga Katalonia. Ajo u bë kryetare e bashkisë së Gironas në vitin 2016. Më 17 janar 2018 ajo u bë deputete e Parlamentit të Katalonisë në mandatin e 12-të për koalicionin “Junts per Catalunya”.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme që ta njohë Spanja pavarësinë e Kosovës sepse do të jetë evidente se demokracia duhet të jetë përballë çdo argumenti politik dhe se ky qëndrim është i njëjtë me atë që i duhet Katalonisë.
Spanja tradicionalisht ishte vendosur që mos ta njihte Pavarësinë e Kosovës për shkak të kontestit me Kataloninë. Këtë qëndrim ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, e ripërsëriti më 21 prill të vitit 2023, duke shtuar që qytetarët e Kosovës nuk do të mund të hynë në Spanjë pa viza në vitin 2024, pavarësisht hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Zonën Schengen.
Megjithatë, në dokumentin e publikuar nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Europian shkruan se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.
Deputetja Manderas thotë që Spanja ishte i vetmi shtet nga pesë [shtetet e BE-së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës] që nuk e njohu fillimisht atë vendim [për liberalizimin e vizave për Kosovën], “por më pas ata kanë parë se për qëllime praktike kosovarët mund të kalonin kufirin e jashtëm të Schengenit përmes çdo shteti tjetër të Schengenit dhe pastaj të lëviznin lirshëm nëpër të gjitha vendet, përfshirë Spanjën”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës për KALLXO.com në disa pyetje në lidhje me vizat, ata iu referuan shtetit të Kosovës me fusnotë, që bazohet në Rezolutën 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Të gjitha shtetet që nuk e njohin Schengen kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohjen e Kosovës*”- tha zëdhënësja e Ministrisë, Elena Aljarilla Cortezon, me arsyetimin që pa këtë modifikim, mbajtësit e këtyre pasaportave do të kishin probleme në vizitën e ligjshme të shteteve që nuk i njohin.
Çka shohin katalonasit të përbashkët mes Kosovës dhe Katalonisë?
Të përbashkëten kryesore të Kosovës dhe Katalonisë, deputetja e Kongresit katalonas, Marta Manderas Mir, e cilëson faktin që të dyjave u ka rënë hise të përballen me shtete që nuk pranojnë demokracinë e vendosur në kutitë e votimeve.
“Të dyja [Kosova dhe Katalonia] kanë konstatuar se shumica e qytetarëve duan pavarësinë dhe të dyja janë përballur me shtete që nuk duan të pranojnë demokracinë e vënë në qendrat e votimit”- thotë ajo.
Deputetja Marta Madrenas thotë që katalonasit mbështesin dialogun Kosovë-Serbi dhe se e shohin si një zgjidhje që të pranohet nga Serbia shtetësia e Kosovës.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës tha për KALLXO.com që Spanja favorizon dhe do të vazhdojë të favorizojë dialogun Beograd-Prishtinë si një mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe synon të minimizojë ndikimin e tij tek qytetarët.
Ndërkaq, sipas Madrenas, ndryshe nga Kosova, në Kataloni shpallja e pavarësisë u pezullua për të pritur reagime të reja nga shteti spanjoll.
“Edhe më i dhunshëm se ai që u mbajt më 1 tetor 2017, ndaj qytetarëve katalonas që votuan në mënyrë paqësore në referendumin e vetëvendosjes. Në Kataloni ne besuam se Spanja duhet të përfshihet në zbatimin e rezultateve të referendumit…, por Spanja u largua nga parimet demokratike që kërkojnë respektimin e vullnetit të qytetarëve si maksimum sovran”- thotë Madrenas .
Më 10 tetor, pas referendumit të 1 tetorit 2017 për Pavarësinë e Katalonisë dhe grevës së përgjithshme më 3 tetor, një dokument që shpallte Kataloninë një republikë të pavarur u nënshkrua nga anëtarët e shumicës parlamentare pro-pavarësisë së Katalonisë. I njëjti dokument u votua më 27 tetor në Parlament, me një shumicë prej 70 nga 135 deputetë në seancë plenare. 10 deputetë votuan kundër deklaratës dhe 53 deputetë refuzuan të ishin të pranishëm gjatë votimit, pasi këshilltarët ligjorë të Parlamentit katalanas këshilluan se ai nuk mund të ndodhte pasi ligji mbi të cilin ishte bazuar ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese spanjolle.
Në të njëjtën ditë, atëkohë kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy u thirr në nenin 155 të Kushtetutës së Spanjës për herë të parë në histori. Ky veprim shkarkoi presidentin katalanas Carles Puigdemont dhe kabinetin e tij dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja katalanase më 21 dhjetor 2017.
Mosmarrëveshja e gjatë e Spanjës me Kataloninë ka rrënjët shumë vite më parë nën pushtetin e Frankos, regjimi diktatorial i të cilit shtypi autonominë e kufizuar të mëparshme të Katalonisë. Në vitin 1979, katër vjet pas vdekjes së tij, rajonit iu dha një autonomi më e madhe.
Në vitin 2006, Qeveria spanjolle mbështeti thirrjet e Katalonisë për fuqi edhe më të mëdha dhe kontroll financiar të rajonit, duke i dhënë statusin e “kombit”.
Fushata e Katalonisë për t’u shkëputur ka marrë vrull që nga viti 2010, atëherë kur ekonomia e Spanjës u zhyt në krizë financiare.
A është njohja e pasaportës së Kosovës zgjidhje për çështjet e brendshme të Spanjës?
Opozita spanjolle e sheh vendimin për Kosovën si “zgjidhje” për problemet e brendshme. Në këtë kontekst, opozita spanjolle ka reaguar me dyshime dhe kritika, duke thënë se vendimi mund të ketë motive të tjera politike.
Partia opozitare konservatore, Partia Popullore (PP) hedh dyshime që kryeministri socialist Pedro Sanchez synon të fillojë t’i mësojë opinionin publik dhe partnerët europianë të mësohen me ndryshimin e opinionit dhe kështu të promovojë një “njohje të dialogut të tij me lëvizjen për pavarësi”- sipas të përditshmes “El Mundo”.
Për një gjë të tillë nuk pranoi të flasë deputetja Madrenas, e cila tha se janë pajtuar me partinë që mos të flasin publikisht për këtë çështje.
Pedro Sanchez është kryeministër i Spanjës që nga viti 2018. Në zgjedhjet e përgjitshme në korrik 2023 humbi zgjedhjet nga partia opozitare konservatore, Partia Popullore e qendrës së djathtë. Por, kjo e fundit e pati të pamundur të formojë qeverinë. Tek në zgjedhjet e reja në të njëjtin vit Sanchez fitoi.
Pas këtyre zgjedhjeve, Sanchez arriti një marrëveshje me partinë separatiste katalanase Bashkë për Kataloninë që ka në krye ish-presidentin katalanas Carlos Puigdemont, duke ofruar amnisti për ata që morën pjesë në një përpjekje të dështuar për pavarësinë rajonale gjashtë vjet më parë.