Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Memli Krasniqi: Bartësit e Institucioneve ta Informojnë Kuvendin për Deportimet

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i informuar nëse bartësit e institucioneve të Kosovës kanë qenë të informuar dhe kanë konsultuar mes vete për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetaseve turk.

“A ka pasur një mos komunikim mendoj që duhet të informohemi. Nëse ka informacione konfidenicale që nuk mund të behet publike atëherë të paktën përfaqësuesit institucional duhet të jenë të informuar”, tha Krasniqi.

Deputeti Krasniqi tha se PDK-ja nuk mbështet vendime arbitrare që nuk janë të thirrura në ligje ndërsa pohoi se nuk është mirë që në këtë seancë të ketë mendime radikale kundër kryeministrit, presidentit dhe krye parlamentarit për poenë politike.

Krasniqi kërkoi që iniciuesit e kësaj seance që janë deputetët e LDK-së të thërrasin një seancë të mbyllur ku do të diskutohej për arrestimin dhe dëbimin e shtetaseve turk.

Ai tha se Kuvendi i Kosovës edhe pse ka kaluar një javë që nga arrestimi i shtetaseve turk nuk ka asnjë informacion.

“Është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe të thotë fjalën e vetë për këtë zhvillim jo të zakonshme. Ne e kemi obligim që të shpërfaqim qëndrimet tona dhe të marrim informacionet e nevojshme. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një javë ne asnjë nuk kemi asnjë raport për rrjedhjen e kësaj ngjarje”, deklaroi Krasniqi.