Betimi në Kuvend nga ish Qeveria Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

May Porosit Haradinajn ta Luftojë Korrupsionin

Kryeministrja britanike Theresa May uroi sot Ramush Haradinajn për zgjedhjen në krye të qeverisë kosovare.

Në urim, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, May siguroi Haradinajn se “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike”.

Më tej May tregoi se si Britania dëshiron ta shohë Kosovën.

“Ne jemi të përkushtuar për Kosovën e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbështesim fuqishëm një Kosovë stabile, të sigurt dhe prosperuese”, thuhet në urim, sipas komunikatës.

May më tutje i kërkon Haradinajt luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Shpresojmë që qeveria juaj do të trajtojë me prioritet mangësitë në sistemin e drejtësisë, e gjithashtu të ndërmarrë të gjitha masat e duhura që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, vijon urimi.

May ia përmendi Haradinajt edhe marrëveshjen për ndihmën britanike në rekrutimin e njerëzve për pozita të larta drejtuese në administratën publike.

“Ne besojmë se bashkëpunimi Mbretëri e Bashkuar – Kosovë në këtë projekt është me rëndësi të lartë sepse nxitë profesionalizmin, llogaridhënien, dhe transparencën në administratën publike – dhe në këtë mënyrë, demonstron para botës përkushtimin e Kosovës në vlerat demokratike”, thuhet në urimin e Kryeministres britanike.

Në nëntor të vitit të kaluar KALLXO.com kishte shkruar për anulimin e një konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Doganës së Kosovës, pasi përzgjedhja nuk ishte bërë në bazë të marrëveshjes me britanikët.

http://kallxo.com/britaniket-rol-kyc-ne-perzgjedhjen-e-drejtorit-te-doganes/

May në fund të urimit të saj ia kujton Haradinajt se do të jetë i mirëpritur në Samitin e Ballkanit Perëndimor që vitin e ardhshëm do të mbahet në Britani.