Ilustrim

Mashtrimi në prokurim publik dënohet me 3 deri në 5 vjet burg

Mashtrimet në punën me tenderë mund t’i kushtojnë me burgim zyrtarëve dhe personave jo juridikë të përfshirë.

Kjo pasi Kodi i ri Penal i Kosovës parasheh një vepër të re penale që nuk ka ekzistuar më parë.

Parlamenti i Kosovës në seancën e mbajtur të premten e kaluar, ka shqyrtuar ndryshimin në kodin penal të Kosovës, si risi e këtij ndryshimi paraqet edhe shtimi i një vepre të re penale e që është mashtrimi në prokurim publik

Me amandamentin 71, të propozuar nga komisoni funksional,i cili u prezantua në seancë parlamentare nga deputetja Albulena Haxhiu, parashihet  dënimi prej 3 deri në 5 vjet me burgim ndaj kryesëve të kësaj vepre penale, si dhe në rastet kur kryerësi shpallet fajtor për këtë vepër, parashihet përveç dënimit me burgim edhe ndalim të marrjes pjesë të kryesit në procedurat e dhënies së kontratave në prokurim publik.

Në Kapitullin 33 –  Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, u shtua  një nen i ri i cili shprehimisht përcakton:

Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik

1.Kushdo që me vetëdije shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe më qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre (3) vjet.

2.Personat përgjegjës apo kushdo i cili më qëllimisht dhe duke shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, nuk zbatojnë detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik me qëllim të përfitimit për vete apo duke shkaktuar dëme buxhetore, nëse karakteristikat e veprave të tjera penale nuk janë përmbushur, dënohet me gjobë dhe burgim deri tre (3) vjet.

3.Nëse kryerësit e veprave penale nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, përfitojnë ose shkaktojnë dëme të konsiderueshme pasurore, në vlerat mbi 5,000 (pesëmijë Euro), atëherë kryerësi dënohet me më se paku pesë (5) vjet burgim.

4.Në rastet e shpalljes fajtor të kryerësit, përveç dënimit, gjykata do t’i shqiptojë kryerësit ndalimin e marrjes pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.

Shtimi i këtij neni u përkrah edhe nga Organizatat Jo Qeveritare që vazhdimisht kanë ngritur shqetësim për mosndëshkueshmërinë e të akuzuarve për keqpërdorim dhe korrupsion në shpenzimin e parasë publike në tenderë.