Lirohen nga akuzat për grabitje të çantës me para

Të akuzuarit për grabitje afër Postës kryesore, u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Trupi Gjykues i kryesuar nga Hamdi Ibrahimi i ka liruar të akuzuarit nga akuza me arsyen se nuk është provuar fajësia e tyre.

“Asnjëherë nuk është provuar që ka pas marrëveshje mes të akuzuarve me qëllim që të grabisin, e po ashtu nuk dihet se ku ka përfunduar ajo çantë“, tha gjykatësi Ibrahimi gjatë arsyetimit të vendimit.

Esad Krasniqi dhe Naim Zeneli, akuzoheshin nga Prokuroria se në mars të 2014, afër postës kryesore në Prishtinë, me marrëveshje paraprake dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë marrë gjësende nga i dëmtuari Mithat Llozhani.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Krasniqi e kishte sulmuar të dëmtuarin Llozahini me grushte në kokë, e pastaj Zeneli kishte marrë nga i dëmtuari çantën e krahut “ Armani “, në vlerë 300 euro dhe me 250 euro para të gatshme në të, për t`u larguar me pas në drejtim te panjohur.