Limaj: Prokuroria po Luan me Fatin Tonë

Limaj foli në seancë pasi Arianit Koci, avokati i Endrit Shalës, kërkoi nga gjykata që një dokument me komunikime të të akuzuarve nëpërmjet sms-ve të mos u paraqitej dëshmitarëve para se t’i bëhej ekspertizë për ta vërtetuar origjinalitetin e tij.

“Ju lutem mos m’i shkatërroni të drejtat e mia kushtetuese. Që shtatë vjet kjo lëndë më ka shkatërruar familjen. Kujt po i pengon të vërtetohet një provë, origjinaliteti i një prove që më ngarkon,” tha Limaj.

Limaj pastaj duke përfshirë edhe të akuzuarit tjerë tha se “prokuroria po luan me fatin tonë”.

Prokurori Charles Hardaway kundërshtoi fjalët e Limajt duke mohuar se trupi gjykues nuk është i drejtë, ndërsa deklaroi se “mënyra e veprimit të Limajt nuk është e duhura”.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Sot pritet të dëshmojë Izmi Zeka, kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan. Ai do të pyetet për pretendimet e dëshmitarit të ndjere Mehmet Shkodra lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve ne regjionin e Gjilanit.

Salla ku zakonisht mbahet gjykimi i Limajt dhe të tjerëve sot është e zënë, ndërsa seanca po zhvillohet në një sallë më të vogël.

Avokatët e të akuzuarve po ankohen se nuk po kanë asnjë vend për të lënë materialet që kanë me vete.