Limaj, Keqardhje për Incidentet

Kreu i partisë opozitare, NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj i ka bërë thirrje koalicionit qeveritar që ta marrë seriozisht kërkesën e qytetarëve për dorëheqje.

Në një reagim në llogarinë e tij në “Facebook”, Fatmir Limaj ka thënë se populli i Kosovës, sot si asnjë herë më parë deri më tani, përcolli mesazhin e qartë se nëse kjo Qeveri refuzon të japë llogari për shkeljen e Kushtetutës, atëherë populli i Kosovës do të refuzojë të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelur Kushtetutën.

“Populli i Kosovës sot foli. Ai pret dorëheqje nga kjo Qeveri. Rrugë tjetër nuk ka”, ka shkruar ai.

Më tej, Limaj ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e NISMËS për Kosovën për pjesëmarrjen e tyre në protestën e sotme, si dhe ka shprehur keqardhje për incidentet që ndodhën më pas.

“Unë shpreh keqardhje për incidentet që ndodhën. Askush dhe asgjë nuk mund ta zbeh mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen tyre masive në protestën e sotme madhështore e paqësore”, tha Limaj.