Besimtarët islamë në xhaminë e Ferizajt që ësht ngjitur me kishën ortodokse - Foto: REL/Reuters

Ligji i Ri për Lirinë Fetare Shqetëson Klerikët në Kosovë

Para pak ditësh, Kuvendi i Kosovës e ka kaluar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Por, jo të gjithë pajtohen me përmbajtjen e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Imami nga Drenasi, Osman Musliu frikësohet se në të ardhmen Kosova mund të përballet me luftëra fetare.

Sipas Musliut rreziku vjen nga fakti se secili sekt mund të krijojë një bashkësi të veten fetare e problem do të jetë kontrollimi i tyre në financim si dhe në mënyrën e praktikumit të besimit.

Ai kundërshton edhe njohjen e tarikateve si bashkësi e veçantë fetare.

“Pasi ata janë myslimanë dhe ne jemi myslimanë, pse mos me qenë në kuadër të Bashkësisë Islame”, thotë ai.

Ndërsa, përfaqësuesit e bashkësisë së tarikateve nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë debat. Thonë se janë autonomë tash e 60 vjet.

Ligji është dërguar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

Deputetët janë optimist se ligji do të përmirësohet dhe se do të garantojë rregullimin e aspektit organizativ dhe juridik të bashkësive fetare. (REL)