Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Mungojnë deputetët serbë, shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për Lirinë Fetare

Mospjesëmarrja e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës ka pamundësuar sot shqyrtimin në parim të Projektligjit për Lirinë Fetare.

Kjo, për shkak se për votimin e këtij projektligji nevojiten dy të tretat e votave të pakicave në Kuvend.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo pikë shtyhet deri kur të krijohen kushtet për shqyrtim.

“Në radhë është një pikë e cila nuk mund të kaloj pa pjesëmarrjen dhe votat e komunitetit serbë sepse është projektligj i karakterit vital, e kërkon edhe votën e dy të tretave të pakicave, pra edhe pjesëmarrjen e një pjese të votave të komunitetit serb, prandaj do të ishte mirë që ta shtyjmë deri kur të krijohen kushtet në Kuvendin e Kosovës”- ka thënë ai.

Tash e 16 vjet Kosova është duke funksionuar me Ligjin e njëjtë për Liritë Fetare, i cili ka lënë të parregulluara shumë çështje, duke përfshirë edhe regjistrimin e bashkësive fetare.

Përveç regjistrimit të bashkësive fetare, projektligji i ri në do të rregullojë edhe çështjen e caktimit të vendeve të varrezave, ritet e varrimit, fondet për bashkësitë fetare, e raportimin financiar të tyre.

Në këtë projektligj është paraparë edhe dhënia e fondeve për bashkësitë fetare, por që nuk është përcaktuar vlera e tyre.

Cilat ndryshime pritet të bëhen nga ndryshimi i Ligjit për liritë fetare?

Në anën tjetër, deputetët serbë, nëntë nga Lista Serbe dhe një nga partia GI SPO tash e sa kohë po bojkotojnë punimet e Kuvendit.

Që kur u betuan në nëntor të vitit të kaluar, dhjetë deputetët e rinj serb kanë marrë pjesë vetëm në një seancë në muajin prill, kur edhe po i afrohej gjashtë mujorit të mos pjesëmarrjes në Kuvend. Kjo pasi mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje pas në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, ku edhe u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Deputetët e Listës Serbe rikthehen në Kuvend pas 5 muajsh, e më pas largohen nga salla