Raporti i DASh: Kosova ka nevojë për një Ligj të ndryshuar për lirinë fetare

Departamenti Amerikan i Shtetit, ka publikuar Raportin Ndërkombëtar për Liritë Fetare, e cila dokumenton gjendjen e lirive fetare në afro 200 shtete dhe territore.

Pjesa për Kosovën e raportit të vitit 2020 ngrit nevojën për Ligj të ndryshuar për lirinë fetare.

Sipas raportit, mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare është një hendek i madh në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.

“Zyrtarët e Ambasadës Amerikane vazhduan ta inkurajojnë qeverinë të miratojë ndryshime që u lejojnë grupeve fetare ta fitojnë statusin ligjor, t’i zbatojnë mekanizmat për ta mbrojtur lirinë e fesë, ta zbatojnë legjislacionin dhe vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me vendet fetare të KOS-it dhe t’i zgjidhin kontestet pronësore të KOS-it. Ambasadori dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës i diskutuan çështjet e lirisë fetare, përfshirë mbrojtjen e barabartë dhe çështjet e të drejtave pronësore, me udhëheqësit fetarë dhe të shoqërisë civile dhe inkurajuan tolerancën fetare dhe dialogun e përmirësuar ndërfetar”, thuhet në raport.

Mes tjerash në pjesën për Kosovë, përmendet edhe marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht një premtim për ta mbrojtur dhe promovuar lirinë e fesë.

“Më 4 shtator, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan një listë të angazhimeve në Uashington, D.C., të ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë, që përfshinte një premtim për ta mbrojtur dhe promovuar lirinë e fesë, për ta përtërirë komunikimin ndërfetar, për t’i mbrojtur vendet fetare, për t’i zbatuar vendimet gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) dhe për ta vazhduar kthimin e pronës hebraike të patrashëguar dhe të pakërkuar të kohës së Holokaustit”, thuhet tutje në raport.

Tutje në raport është përmendur edhe ndërtimi i Xhamisë në qytetin e Prishtinës para disa muajsh. Raporti cek faktin se ky projekt u kundërshtua nga disa qytetarë.

“Në korrik, Komuna e Prishtinës lëshoi një leje ndërtimi dhe filloi ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, të financuar nga qeveria turke. Disa qytetarë e kundërshtuan ndërtimin e kësaj xhamie, duke thënë se dizajni i saj bazohej në një stil arkaik osman, e jo në arkitekturën tradicionale të xhamive në Kosovë. Disa hoxhallarë lokalë vazhduan të deklaronin se xhamitë ekzistuese në qytet i përmbushnin nevojat e anëtarëve të tyre dhe nuk kishte nevojë për një xhami kaq të madhe në këtë zonë”, thuhet në raport.

Raportin e plotë për Kosovën mund ta lexoni në këtë link.