Arkiv- Kartëmonedha euro - Foto: REL/AFP

Ligji i ri për Pagat ua ndalon Enver Hasanit e Fejzullah Hasanit të marrin dy paga

Ligji i ri mbi Pagat, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, e ka eliminuar mundësinë që ish-zyrtarët e lartë të përfitojnë 70% të pagës gjatë gjithë jetës.

Kuvendi ishte kujdesur mjaft mirë për ish-kryeparlamentarin, ish-kryeministrin, ish-presidentin, ish-kryeprokurorin e shtetit si dhe ish-kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Supreme në momentin kur e kishte miratuar Ligjin për përfitim të ish-zyrtarëve të lartë.

Me anë të atij Ligji, ish-zyrtarëve të lartë u garantohej një asistent i lartë, një vozitës, një truprojë dhe një zyrë e mobiluar dhe e pajisur mirë.

Përpos këtyre benifiteve atyre u garantohej edhe 70% të pagës aktuale si dhe nga 1.200 euro shpenzime vjetore për telefon dhe internet gjatë gjithë jetës së tyre.

Ligji po ashtu ua mundësonte ish-zyrtarëve edhe angazhimet në universitete dhe funksione të tjera me kusht që rrogën të cilën e realizonin nga to të jetë më e vogël se vlera e rrogës që e marrin si ish-zyrtar i lartë.

Disa nga këto benefite nuk do t’u mundësohen ish-zyrtarëve të lartë me Ligjin e ri mbi Pagat.

Ky Ligj ka paraparë që përfitimet e 70% të rrogës iu takon vetëm ish-zyrtarëve të cilët nuk marrin rrogë tjetër nga buxheti i Kosovës.

Me ketë rast është eliminuar mundësia e  marrjes së dy rrogave nga shteti dhe është kufizuar koha për të cilën ish-zyrtarët mund t’i marrin këto përfitime.

Përfitimet e 70% të pagës do t’u takojnë zyrtarëve vetëm për 5 vite nga koha e përfundimit të mandatit e jo përjetësisht siç parashihej me Ligjin për përfitim të zyrtarëve të lartë.

Aktualisht, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani dhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani janë duke marrë dy rroga nga buxheti i shtetit.

Enver Hasani si ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese merr mbi 32 mijë euro në vit, përkatësisht 2,684.50 euro në muaj sipas përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese.

Përpos këtij përfitimi ai merr pagë edhe nga Universiteti i Prishtinës pasi që është profesor i rregullt në ketë universitet.

I kontaktuar nga KALLXO.com, profesori Enver Hasani tha se rroga është çështje e tij private dhe se askush nuk ka të drejtë të merret me të.

“Rroga ime është çështje tërësisht private dhe nuk mendoj që dikush ka të drejtë të merret me të. Çështja e të ardhurave të mia nga ligji i vjetër po ashtu është çështje e imja dhe një e drejtë kushtetuese deri sa të mos ndryshojë ligji”, tha Hasani.

Ndërsa si ish-kryetar i Supremes, Fejzullah Hasani, realizon mbi 24 mijë euro në vit përkatësisht 2,065.00 euro në muaj sipas përgjigjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Edhe ish-kreu i Supremes merr pagë si profesor pasi është i angazhuar si profesor i rregullt në Universitetin e Gjilanit.

Fejzullah Hasani tha për KALLXO.com se Ligji mbi ish-funksionarët e lartë ua mundëson marrjen e këtyre dy rrogave.

“Ligji mbi ish-funksionarët e lartë thotë se ish-funksionarëve nuk u takon 70 % e rrogës vetëm nëse  ushtron funksion publik tjetër nga i cili merr pagë me të madhe ose të barabartë se përfitimi, që i bije se edhe nëse ushtron funksion publik me pagë më të vogël se rroga e kryetarit të atij institucioni mund ta marrë përfitimin”, tha ish-kryetari i Supremes.

Ai shtoj se Ligji i ri e ka kufizuar këtë të drejtë.

“Me ligjin mbi pagat që është aprovuar tani funksionarit të lartë i takon 70 % të pagës nëse nuk merr pagë nga buxheti i Kosovës, ai mund t’i ketë privilegjet tjera por jo edhe pagën e 70 %, nëse ka pagë tjetër nga buxheti i Kosovës”, tha Hasani.

Ish-kryetarët e Supremes dhe Kushtetueses si dhe ish-funksionarët e tjerë që aktualisht janë duke i marrë përfitimet si ish-zyrtarë të lartë do të vazhdojnë t’i marrin këto edhe për 5 vite nga hyrja në fuqi e Ligjit mbi Pagat.

Në pyetjen e KALLXO.com, se a u lejohet marrja e përfitimeve dhe e rrogës nga buxheti i Kosovës ish-zyrtarëve të lartë kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se është kundërligjore marrja e përfitimeve dhe e rrogës nga buxheti i Kosovës.

“Jo, nuk kanë të drejtë. Dispozita e ligjit është shumë e qartë. Nëse këtë po e bëjnë, për të cilën unë nuk jam në dijeni, atëherë është shkelje e ligjit”, tha Haxhiu.