Lëvizja Fol: 37 % të të Anketuarve Duan Zgjedhje të Parakohshme

Lëvizja “Fol” prezantoi sot rezultatet e hulumtimit dhe anketës me qytetarë për zgjedhjet në Kosovë.

Në anketën  “Qëndrimet e Qytetarëve mbi Zgjedhjet dhe Partitë Politike” mendimin e tyre e dhanë banorë të 38 komunave të Kosovës.

Pyetjes se a duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme në Kosovë, sipas anketës së “Fol-it” me “Po” iu përgjigjën 37 për qind të të anketuarve, ndërsa 38.4 për qind ishin kundër mbjatjes së zgjedhjeve të tilla.

Hulumtuesit e “FOL-it” pyetën pjesëmarrësit e anketës se për cilat subjekte politike do të votonin sikur brenda një jave do të mbaheshin zgjedhjet në Kosovë.

23 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për PDK-në, 19.6 për qind për LDK-në, 13.3 për qind për Lëvizjen “Vetëvendosje” e 6.8 për qind për AAK-në.

Të anketuarit treguan edhe për kë kanë votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit 2014. 29.3 për qind e tyre thanë se kishin votuar për PDK-në, 26.9 për LDK-në, 14.2 për qind për “Vetëvendosjen”, 7.5 për qind për AAK-në, 5.4 për qind për Nismën, 4 për qind për AKR-në, 2.7 për qind për Listën Serbe, etj.

Sipas sondazhit të rinjtë e anketuar nga 18 deri në 25 vjeç më shumë preferojnë PDK-në (21.3 për qind), ndërsa pjesëmarrësit e anketës mbi 65 vjeç më shumë janë deklaruar për ta votuar LDK-në (36.4 për qind).

Këto dy parti janë në koalicion qeveritar dhe këto ditë e kanë mbushur një vit qeverisje të përbashkët.