Foto-ilustrim

Lëndohet në Aksident ish-Kryetari i Ferizajt

Në një aksident trafiku që ka ndodhur sonte rreth orës 20:30 në dalje të fshatit Rahovicë të Ferizajt janë lënduar katër persona.

KALLXO.com mëson se në mesin e të lënduarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi.

“Në aksident ka qenë i përfshirë edhe personi qe ju po i referoheni”, tha Gashi i pyetur nëse në aksident ishte i përfshirë edhe ish-kryetari Svarqa.

Sipas zëdhënësit të Policisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Vetura e të apostrofuarit është goditur nga njëkamionetë që po vinte nga krahu i kundërt”, tha ai.

Në këtë aksident lëndime kanë pësuar 4 persona dhe janë dërguar për tretman mjekësor.

“3 nga ta janë liruar ndërsa një është duke u trajtuar ende”, tha Agim Gashi për KALLXO.com.

Ish-kryetari Muharrem Svarqa humbi në zgjedhjet e fundit për kryetar të Ferizajt, duke u mposhtur nga kandidati i PDK-së, Agim Aliu.

Svarqa nuk është i vetmi prej ish-kryetarëve të Ferizajt që është përfshirë në aksident komunikacioni.

Ish-kryetari Bajrush Xhemajli kishte dhënë dorëheqje nga posti i tij pasi që Gjykata Supreme kishte konfirmuar dënimin e tij me burg të shpallur nga Gjykata e instancës së parë.

Bajrush Xhemaili Jep Dorëheqje

Xhemajli akuzohej për aksidentin e komunikacionit që kishte ndodhur më 2009, në të cilin kishte humbur jetën një i ri.