Foto: KALLXO.com

LDK: Ekipi Negociator duhet të japë dorëheqje, vendi të shkojë në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se me aktgjykimin e saj të sotëm Gjykata Kushtetuese ka folur qartë dhe zëshëm se Ekipi Negociator është antikushtetues.

Në një konferencë për media, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese.

“Shkelje është bërë me draft-rezolutën kur dialogu ka kalu te presidenti. Vlerësojmë se sot, menjëherë ekipi duhet të jap dorëheqje, kurse vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, tha Hoti.

“Çdo ditë e më shumë që rri në zyrë kjo Qeveri, bën shkelje kushtetuese. Dialogun duhet ta udhëheq një Qeveri legjitime e dalë nga zgjedhje të lira e demokratike. Kemi një Qeveri e cila e ka shkelur Kushtetutën”, shtoi Avdullah Hoti.

Ndërsa, deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë mesazh kryeministrit Ramush Haradinaj se kompetencat kushtetuese nuk janë ‘zgjidh e merr’.

“Ai ka treguar se nuk është i aftë të marrë përgjegjësi. Vendimi i sotëm ka rikonfirmuar secilin argument që ne kemi ofruar. Projektligji për dialogun shkel kompetencat e Kuvendit”, shtoi ajo.