Kuvendi i Shkon Ngadalë një Çështjeje ‘Urgjente’

Edhe pse deputetët u pajtuan që çështja e Hades është çështje urgjente, sot nuk diskutuan për atë që u mblodhën. Në mungesë të rekomandimeve, komisioni do të mblidhet javën tjetër, e në këtë tatim do ta ftojë edhe kryeministrin Isa Mustafa.

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor u mblodh sot për të shqyrtuar draft rekomandimin për mbledhjen plenare për çështjen e Hades.

Deputeti Shaip Muja ishte paraparë që t’i sillte këto rekomandime, por “për shkak të angazhimeve”, siç tha ai, nuk i solli.

“Prita që sot të kemi propozime pak ma konkrete, por sigurisht Shaipi ka qenë me angazhime të tjera. Ne duhet sa ma parëm ta bëjmë një raport me rekomandime të cilin më pas në kuvend do ta shndërrojmë në rezolutë”, tha Adem Salihaj (LDK).

Por, kryetarja e komisionit, Duda Balje, kërkoi diçka më shumë se veç rezolutë.

“Unë jam për rezolutë, por e di që rezoluta nuk është obligative. Njerëzit në Hade dhe Shipitullë duan diçka konkrete dhe unë jam e mendimit që me duhet me bisedu me kryeministrin për një vendim për dislokim. Pa vendim për dislokim nuk jemi në pozitë me bo dika konkrete”, tha Balje.

Por, sipas deputetit Muja, për këtë duhet veç vullnet politik i qeverisë.

“Forma e dislokimit është shumë e lehtë nëse ekziston vullneti politik”, tha ai.

Me gjithë diskutimet, deputetja Time Kadriaj (AAK) tha se kjo është çështje urgjente.

“Është rritë shumë numri i rasteve me kancer dhe vërtetë është një gjendje alarmante. E kemi obligim që me shpejtësi të veprojmë”, tha ajo.

Ndërsa Sali Salihu (LVV) kërkoi që atje të ndalohen ndërtimet pa leje.

“Pse atje ndërtohet pa leje edhe lejohen që të bëhen shtëpi gjatë natës dhe pas një viti dy kanë shpronësu. Kush janë ata që po ndërtojnë, a ka aty ndonjë inspektor që i kontrollon këto ndërtime se pastaj do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës”, tha Salihu.

Sot Avokati i Popullit gjithashtu ka dhënë mendim për banorët e fshatit Hade dhe Shipitullë.

KALLXO.com ka siguruar këtë opinion, në të cilin vlerësohet dështimi i shtetit në trajtimin e kësaj çështjeje.

“Avokati i Popullit vëren se dështimi i shtetit dhe operatorit për të investuar, apo për të investuar mjaftueshëm, në proporcion me dëmin e shkaktuar në mjedis dhe në infrastrukturën e trashëguar brenda hapësirave në fjalë ka krijuar mjedis jo të sigurt për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në këtë raport.

Çështja e zhvendosjes së banorëve të Hades do të jetë sonte temë e hulumtimit në emisionin “Jeta në Kosovë”.