Shqyrtimi në komision i Projektligjit për Zhurmën | Foto: KALLXO.com

Mbrojtja nga Zëri nuk Hyn në Projektligjin për Zhurmën

Deputeti i LDK-së Adem Salihaj në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor propozoi që Projektligjit për Mbrojtje nga Zhurma t’i ndërrohet emërtimi, duke e futur në të edhe mbrojtjen nga zëri i lartë.

Propozimin e Adem Salihajt e përkrahu anëtari i “Vetëvendosjes” në këtë komision Salih Salihu.

“Unë kërkoj që këtij ligji t’i shtohet edhe pjesa e zërit për shkak se qytetarët po irritohen, për shkak që po cilësohet edhe ezani si zhurmë,” tha Salih Salihu.

Por anëtari i komisionit Shaip Muja u deklarua kundër ndryshimit të emrit të projektligjit, duke thënë ky ligj në të gjitha vendet e rajonit quhet ligji për mbrojtje nga zhurmat.

Adem Salihaj, propozuesi i ndryshimit të emrit të projektligjit, tha se ky projektligj nuk u miratua nga legjislatura e kaluar për shkak të reagimit të bashkësive fetare, përkatësisht asaj islame, në lidhje me çështjen e ezanit.

Propozimi i Adem Salihajt për përfshirjen e mbrojtjes nga zëri dhe ndryshimin e emrit të Projektligjit për Mbrojtje nga Zhurma u hodh pastaj në votim, por nuk kaloi, pasi për të votuan tre anëtarë, ndërsa katër ishin kundër.

Megjithatë, në mbledhjen e sotme të komisionit anëtarët e tij miratuan amendamentet shtesë të Projektligjit për Mbrojtje nga Zhurma.

Në lidhje me këtë projektligj kishte pasur debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës në mars të këtij viti.

http://kallxo.com/projektligji-per-zhurme-ben-zhurme-ne-kuvend/

http://kallxo.com/grup-punues-per-mbrojtjen-nga-zhurma/