Albin Kurti me studentë

Kurti: Ky është mandati i fundit i Presidentit dhe Kryeministrit

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prishtinës, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.

Kurti atje ka thënë se arsyeja se pse rriten keqpërdorimet nga pushtetarët është se e dijnë që është mandati i fundit i tyre.

“Është mandati i tyre i fundit. Presidenti dhe kryeministri e dijnë se më nuk mund të zgjedhën. Koha e tyre po kalon. Kjo është arsyeja që ata po keqpërdorin me të madhe”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ai ka folur edhe për Universitetin e Prishtinës, ku ka thënë se universiteti nuk duhet të jetë vend ku konsumohet dija, por vend ku prodhohet ajo.

“Në dallim prej shkollës së mesme ku dija konsumohet, universiteti duhet të jetë vend ku dija prodhohet. E nëse universiteti bëhet si shkollë e mesme, atëherë kjo është e dëmshme, sepse duhet të kryhet edhe një fakultet, pas një fakulteti të kryer”, ka thënë Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes gjithashtu ka folur edhe për studentët, ku ka kritikuar qasjen e tyre pasi sipas tij  para luftës ka qenë vetëm një organizatë studentore me 20 mijë studentë, ndërsa tash janë me dhjetra organizata studentore.