Prokururja Vahide Badivuku, e akuzuar për ryshfet

Kundërshtohet Aktakuza Ndaj Prokurores Badivuku

Prokurorja Vahide Badivuku dhe dy të akuzuarit tjerë, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, paraqitën sot kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës që rëndon mbi ta.

Albana Kelmendi , avokate e të akuzuarës Badivuku, kundërshtimin e saj ndaj aktakuzës e paraqiti në formë të shkruar, ndërsa si propozim paraqiti dëgjimin e një dëshmitari shtesë, Besim Maliqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Badivuku, në periudhën kohore maj – gusht 2015, në cilësinë e prokurores  së krimeve të rënda në Prokurorinë e Mitrovicës, duke shfrytëzuar detyrën e saj i ka tejkaluar kompetencat dhe nuk e ka përmbushur detyrën e saj me qëllim të përfitimit çfarëdo dobie për vete duke kërkuar dhe pranuar dhuratë “në mënyrë të tërthortë”, në kundërshtim me detyrën e saj.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, Badivuku në bashkëpunim me të akuzuarin tjetër Idriz Kelmendi, ka kërkuar dhe marrë shumën prej 10 mijë euro përmes Idriz Kelmendit.

Në seancën e sotme, Prokurorja Badivuku në anën tjetër pati vërejtje lidhur me procesverbalin e marrjes në pyetje të saj, pasi tha se nuk është e vërtetë se ka nënshkruar atë procesverbal me vullnet dhe dëshirë.

“Kundërshtoj procesverbalin pasi që nuk është e vërtetë se me dëshirë dhe vullnet kam dhënë pëlqimin për kontroll si dhe që i kam dorëzuar të holla policisë ashtu siç përshkruhet në këtë pasus të deklarimit tim nga prokuroria, pasi që policia kanë kryer kontrollin pa më njoftuar fare”, tha Badivuku.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, e njoftoi të akuzuarën Badivuku se ky kundërshtim i saj do të jetë i vlefshëm në fazën e shqyrtimit kryesor, ndërsa në këtë fazë nuk mund të pranohet.

Edhe Besnik Berisha, avokat i të akuzuarit tjetër, Idriz Kelmendi, dorëzoi me shkrim kundërshtimin e tij ndaj aktakuzës dhe kërkoi që aktakuza për të mbrojturin e tij të hedhet poshtë.

“Aktakuza kundër të mbrojturit tim nuk mund të mbështetet vetëm në deklarimin e një dëshmiatri të mbrojtur dhe pasi që nuk asnjë provë tjetër që rëndon të mbrojturin tim, unë edhe për arsye të ekonomizimit të procedurës, kërkoj nga gjykata që në këtë fazë të hedhë poshtë aktakuzën”, tha Berisha.

Këto kërkesa u kundërshtuan nga prokurori, Admir Shala, i cili kërkoi që kërkesat e avokatëve për hedhje të aktakuzës të refuzohen dhe të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

Prokurorja Badivuku ishte arrestuar më 23 gusht të këtij viti nën dyshimin për marrje ryshfeti, ndërsa, aktakuza ndaj saj ishte ngritur me 17 nëntor.

Seanca e radhës u shty në afat të pacaktuar, ndërsa gjyqtari Kreshnik Raqoniqi, refuzoi kërkesën e monitoruesit të BIRN për të xhiruar në seancë.

“Jeni vetëm një media dhe si e tillë xhirimi nuk mund të lejohet xhirimi”, tha gjykatësi Radoniqi.

Por ai kundërshtoi që kërkesa e monitoruesit për xhirim të precizohet në procesverbal si dhe ndalesa të merret me një aktvendim.

 

Muajin e kaluar, Vahide Badivukut i është ndryshuar masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Aktakuza ndaj saj dhe dy të tjerëve ishte ngritur më 17 nëntor të këtij viti.

http://kallxo.com/ekskluzive-pamje-te-lirimit-nga-burgu-te-vahide-badivukut/

http://kallxo.com/afera-e-veturave-detajet-pse-vahide-badivuku-u-arrestua/