Kryeshefi i Telekomit: Kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet me kushtet e deritanishme

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka ri-konfirmuar se nuk do të ketë kontratë me operatorin Z-Mobile.

Istrefi fillimisht lajmin për shkëputjen e kontratës me Z-Mobile e kishte dhënë të hënën para protestuesve të cilët dolën para objekteve të PTK-së kundër vazhdimisht të kontratës me Z-Mobile.

Sot, Istrefi më anë të një postimi në Facebook ka thënë se ri-konfirmimin për shkëputjen e kontratës po e bën për shkak të informimit të drejtë.

“Për hir të informimit të drejtë dhe transparencës maksimale dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, më duhet të theksoj se kontrata me Z Mobile nuk do të vazhdohet tutje sipas kushteve të cilat kanë ekzistuar deri më tani, kjo bazuar në konstatimet financiare të ekipeve ndërkombëtare të ekspertëve financiarë dhe të ekipit të ekspertëve ligjor”, ka thënë ai.

Ai madje shtoi se për njoftimi për mos-vazhdimin e kontratës i është dërguar edhe partnerit Z-Mobile.

“Ky njoftim i mosvazhdimit të kësaj kontrate, i është adresuar edhe vetë partnerit të Telekomit (Z Mobile), ashtu siç e parasheh edhe kjo marrëveshje”, ka thënë Istrefi.

Istrefi ka thënë edhe se “strukturat menaxhuese të Telekomit të Kosovës kanë obligimin ligjor që në secilën situatë të veprojnë në përputhje të obligimit ligjor të mbrojtjes së interesit të kompanisë sonë. Për më tepër, Menaxhmenti Ekzekutiv dhe Kryeshefi Ekzekutiv kanë obligime edhe në raport me të punësuarit e Telekomit”.

Kryeshefi ka deklaruar edhe se do të jetë përgjegjës për të gjitha veprimet e tij në lidhje me këtë cështje.

“Edhe një herë dua të potencoj se në çdo kohë do të jem përgjegjës për veprimet e mia lidhur me këtë çështje, natyrisht duke qenë në koordinim të plotë me Bordin e Drejtorëve dhe MZHE-në, në mënyrë që çfarëdo veprimi apo edhe vendimi të ketë bazë ligjore dhe të sjellë dobi për kompaninë tonë”, ka deklaruar ai.

Të hënën e kësaj jave, punëtorët e Telekomit dhe Federata Sindikale e PTK-së, kanë protestuar para objekteve të PTK-së, kundër vazhdimit të kontratës me operatorin Z-Mobile.

https://kallxo.com/si-u-dha-lajmi-i-madh-per-shkeputjen-e-kontrates-mes-telekomit-dhe-z-mobile/

https://kallxo.com/fotopunetoret-e-telekomit-protestojne-kunder-kontrates-me-z-mobile/