Kryeministri Isa Mustafa I Foto: Facebook

Kryeministri Shmang Trajtimin e Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është shmangur sot çështjes së demarkacionit në një vizitë që i bëri një biznesi në Prishtinë.

Kur u pyet se kur qeveria do ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete.

“Kuvendi do t’i trajtojë edhe këto çështje që ju po i hapni këtu. Ne i trajtojmë dhe i procedojmë ato që parashihen me ligj po ashtu do të jepen të gjitha informatat relevante për qytetarët dhe në përgjithësi”, tha Mustafa.

Ai shtoi në fund se për demarkacionin “do të veprojmë ashtu siç ka kërkuar BE” dhe se në Kuvend do të procedohet ashtu siç është paraparë por duke mos përmendur ndonjë datë të caktuar.

Dy javë më parë, Presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se demarkacioni duhet të ratifikohet në Kuvend “brenda dhjetë ditëve”, ndërsa gjatë javës e përsëriti deklaratën duke thënë se ratifikimi duhet të bëhet “në ditët e ardhshme”.

Komisioni Evropian e ka vendosur demarkacionin ndër parakushtet për t’ia dhënë Kosovë liberalizimin e vizave.