Kroacia e Britania Pengojnë Hapjen e Kapitujve për Serbinë

Kroacia të hënën tha se nuk mund të miratojë hapjen e Kapitullit 23 të bisedimeve të anëtarësimit në BE të Serbisë, duke cituar “arsye të qenësishme”, ndërsa Mbretëria e Bashkuar gjithashtu u tërhoq nga mbështetja e saj për “arsye teknike” që lidhen me vendimin e referendumit të Mbretërisë së Bashkuar për të lënë BE-në.

Një vendim për të mos hapur kapitullin u mor në takimin e grupit të punës së BE për negociatat serbe nën presidencën Holandeze, që përfundon në fund të qershorit.

“Kjo situatë duhet të shihet në dritën e “Brexit” të Britanisë së Madhe. BE-ja duhet të përballet me problemet e saj sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ofrojë zgjidhje për to,” tha Aleksandra Joksimoviq kryetarja e Qendrës për Politikë të Jashtme me bazë në Beograd, duke komentuar në lidhje me pozicionin e Britanisë së Madhe.

“Ne kemi një situatë ku ata që po e lënë bashkimin janë ende duke vendosur mbi procesin e zgjerimit”, tha Joksimoviq për BIRN.

Serbia kishte shpresuar të hapte Kapitullin 23 përpara se të përfundonte më 1 korrik presidenca holandeze e BE-së.

Joksimovi theksoi se kundërshtimi nga Kroacia kundër hapjes së Kapitullit 23, ishte një problem pak më ndryshe.

“Bllokada e Kroacisë është shkaktuar nga çështjet e brendshme dhe Serbia duhet të jetë e përgatitur që ky vend ta japë dritën e gjelbër i fundit. Megjithatë, në qoftë se ka një konsensus mes pjesës tjetër të 26 vendeve [përveç Britanisë] , këto çështje mund të zgjidhen,” tha Joksimoviq.

Ajo tha gjithashtu se nuk ishte edhe aq e rëndësishme që Serbia të hapë kapitujt 23 dhe 24, tani ose në një hark kohor prej disa muajsh. E rëndësishme është që Serbia të përmbushë standardet e BE-së.

Një grup pune i Këshillit Evropian më 6 prill e hoqi hapjen e dy kapitujve – që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit , gjyqësorit dhe të drejtave të njeriut – nga agjenda e vet, pasi Kroacia ka dështuar për t’i dhënë atyre një dritë jeshile .

Kroacia po kërkon që Serbia së pari të zotohet për respektimin e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare, për bashkëpunim të plotë me gjykatën e Hagës për krimet e luftës dhe të rrëzojë një ligj që i jep Serbisë juridiksion për të gjykuar krimet e luftës të kryera në konfliktet e viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviq së fundmi diskutuan çështjet për marrëdhëniet e rënduara midis dy vendeve.

“Sipas njohurive tona, ka pasur një marrëveshje në parim me Kroacinë për të hapur kapitullin 23. Ishte problem vetëm nëse do të zbatohej teknikisht ngaqë Kroacia nuk ka një qeveri tani”, koordinatori i Serbisë për Kapitullin 23, Milan Antonijeviq, duke iu referuar rënies së qeverisë të fundit në Kroaci.

Ai i tha BIRN se referendumi i Britanisë më 23 qershor dhe vota për t’u larguar nga BE-ja kishte ndikuar edhe në vendimin për hapjen e kapitujve.

“BE-ja nuk duhet të lejojnë që Brexit të ndikojë në vendimet e ardhshme. Por nuk mendoj se kjo do të bëhet një trend”, tha Antonijeviq, duke shtuar se kapitujt mund të hapen në korrik.

“Çdo gjë që është shkruar në planin e veprimit për Kapitullin 23 është për të mirën e popullit të Serbisë. Sapo Kapitulli 23 të hapet, çdo gjë nga plani i veprimit duhet të zbatohet”, përfundoi ai.