Vizita në vendvotim | Foto: KALLXO.com

Kritikohet Kryesuesi i Vendvotimit në Polluzhë

Monitoruesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Imer Ahmetaj e Fatmire Bajrami teksa po vizitonin qendrën e votimit 0318e, i bënë vërejtje kryesuesit të vendvotimit 02D Hysen Mulaj.

Ahmeti e Bajrami kishin vërejtje për mosmbajtje të evidencës në librin e votimeve, numrin e vulës në këtë qendër votimi dhe zëvendësimet nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

“Ti je kryesues, i ke kry trajnimet, brenda këtyne mureve çka të ndodhë ti je përgjegjësi. Çdo gjë që ndodh evidento,” i tha Imer Ahmetaj, kryesuesit të këtij vendvotimi.

Sipas monitorueses së KALLXO.com kryesuesi Mulaj shpeshherë nuk po qëndron në klasë, ndërkohë që në tavolinën e tij nuk ka zëvendësues kur ai nuk ndodhet në vendvotim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas po mbahen, pasi kryetarit të kësaj komune Nexhat Demaku iu vërtetua nga Gjykata e Apelit dënimi për krime lufte, ndërsa ai pas këtij vërtetimi dha dorëheqje.

Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit figurojnë 52,569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.

Për zgjedhjet e sotme janë akredituar rreth 1 mijë vëzhgues të cilët vijnë nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të vendore, subjektet politike dhe mediat.