Termocentralet e KEK-ut. Foto kortezi: Yll Vuçiterna

KOSTT: Më 3 Mars Janë Ndërprerë Devijimet Ndaj Rrjetit Interkonektiv

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka reaguar pas njoftimit të Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E) ku thuhej se mosmarrëveshja e energjisë midis Serbisë dhe Kosovës ka ndikuar në orët digjitale të energjisë në nivel europian.

“Situata së cilës ju i referoheni është edhe si pasojë e mos-implementimit të Marrëveshjes për Kyçje KOSTT-ENTSO-E nga ana e EMS (Operatori i Sistemit të Transmisionit të Serbisë) si pasojë e mos implementimit të së cilës KOSTT ka dëme financiare. Marrëveshjen për Kyçje KOSTT/ENTSO-E e ka nënshkruar edhe vet EMS së bashku me 29 OST të tjera evropiane”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

KOSTT-i, gjatë muajit dhjetor, kishte paralajmëruar se do të obligohet të tërheq energji elektrike nga rajoni, pasi nuk kishte mjete të mjaftueshme për mbulimin e kostos së furnizimit të katër komunave veriore me energji elektrike.

Paralajmërimi i KOSTT-it ishte bërë pasi ZRRE-ja përmes një udhëzimi kishte rekomanduar që kosto e furnizimit të katër komunave veriore të hiqet nga tarifat e energjisë dhe në të njëjtën kohë nuk ishte dhënë asnjë zgjidhje nga qeveria apo ZRRE-ja se kush do të mbulonte atë kosto.

KOSTT ka thënë për KALLXO.com se edhe pse i kanë plotësuar të gjitha parakushtet teknike dhe operative në pajtim me kërkesat e ENTSO-E për të funksionuar si bllok/zonë rregulluese në bazë të Marrëveshjes për Kyçje (Connection Agreement) e cila u nënshkrua me 1 tetor 2015 në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, kjo Marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë në implementimin e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Dialogu i Brukselit).

“Sipas vendimit të ZRrE, nga muaji prill 2017 me qëllim të krijimit të kushteve për hapjen e tregut të energjisë me pakicë, përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese KESCO i’a ka kaluar KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisisonit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë), mjete të cilat KOSTT i ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike, sipas rregullave në fuqi”, potencohet në përgjigjen e KOSTT.

Me përkrahjen financiare të Qeverisë së Kosovës e cila i ka ndarë 1 milion euro, KOSTT ka thënë se nga data 3 mars 2018, ora 00.00h ka ndërprerë devijimet ndaj rrjetit interkonektiv.

Më tej në përgjigje thuhet se pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës për të hequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike, çështje e cila është ngritur nga Avokati i Popullit në Kosovë, dhe udhëzimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në lidhje me këtë çështje që më pas ka pasuar me zvogëlimin e tarifave të KOSTT për 44 për qind.

“KOSTT nuk ka pasur mundësi ligjore si dhe financiare për të marrë obligim mbulimin e mëtutjeshëm të humbjeve nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës për periudhën në vijim (dhjetor 2017-mars 2018), për shkak të kostos financiare që bartë kjo”, potencohet në përgjigjen e KOSTT.

KOSTT është shprehur se mungesa e të hyrave financiare e dëmton qëndrueshmërinë financiare të kompanisë si kompani e rregulluar, karshi obligimeve për operim të sigurt dhe të besueshëm të Sistemit Transmetues të Kosovës, përmbushjes së obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm (KfW, BERZH/EBRD) si dhe rrezikon procesin drejt anëtarësimit të KOSTT në ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike).

Sipas tyre deri në hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Kyçje në mes të KOSTT/ENTSO-E, KOSTT operon si pjesë përbërëse e EMS (Serbi) në Zonën Kontrolluese dhe Bllokun Kontrollues SMM (ku bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi) ku si lidere e bllokut EMS ka përgjegjësinë për balancimin e sistemit ndaj OST-ve të Evropës Kontinentale.

“Mos implementimi i Marrëveshjes për Kyçje KOSTT/ENTSO-E gjithashtu po i shkakton dëme financiare KOSTT-it, pasi që operatori serb EMS vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje ku konkretisht për vitin 2017 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 Milion euro”, theksohet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Energji në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nën ndërmjetësimin e Komisionit Evropian në shtator 2013, e cila rezultoi edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për Operim (inter-TSO Agreement) në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) në shtator të vitit 2014, dhe konfirmimit të Marrëveshjes për Energji me datë 25 gusht 2015 në mes të kryeministrave respektiv, është përcaktuar që KOSTT dhe EMS do të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike).

Pas një procesi të gjatë të verifikimit të aspekteve teknike dhe operative nga ana e ENTSO-E, me 1 tetor 2015 në Bruksel është nënshkruar Marrëveshja për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale.

Marrëveshja për Kyçje është nënshkruar në mes të KOSTT si Operator i Sistemit të Transmisionit (OST) të Kosovës në njërën anë dhe ENTSO-E në anën tjetër e përfaqësuar nga 30 OST të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale. Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kyçje, KOSTT bëhet zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale.

Sipas Marrëveshjes për Kyçje, regjistrimi dhe licencimi i kompanisë furnizuese në veri është parakusht për fillimin e operimit të KOSTT-it si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale, ndërsa kjo kompani ende nuk është regjistruar në Kosovë.

“Operatori i Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) me veprimet e saja jo të drejta vazhdon ti shkaktoj dëme financiare KOSTT-it dhe konsumatorëve të Kosovës në përgjithësi duke shkelur dispozitat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, për të cilën KOSTT ka dorëzuar edhe ankesë formale në gusht të vitit 2008 në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (SKE nr.ECS-3/08)”, përfundon përgjigja e KOSTT.

KALLXO.com ka shkruar edhe për njoftimin e Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E) ndaj çrregullimit në tregun e energjisë elektrike europiane.

http://kallxo.com/mosmarreveshjet-kosove-serbi-demtojne-tregun-europian-te-energjise/