Kosova Jep Certifikatat e Para për të Diplomuarit Serbë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut
Pas një procesi njëvjeçar të verifikimit të diplomave që lëshohen nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV), Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot ka bërë shpërndarjen e diplomave të certifikuara për të diplomuarit serbë.
Nga 170 aplikacione, MAShT ka certifikuar 130 diploma të këtyre studentëve.
Megjithëse ekziston marrëveshja në dialogun Kosovë-Serbi për njohjen e ndërsjellë të diplomave, pakicat serbe në Kosovë kanë pasur vështirësi në punësim për shkak të mos njohjes së diplomave nga sistemi arsimor i Kosovës dhe anasjelltas për të diplomuarit e pakicave shqiptare në Serbi.
Gazeta ‘Jeta në Kosovë’, ka publikuar raportin për njohjen e ndërsjellë të diplomave në kuadër të projektit ‘Big Deal’, projektit të mbikëqyrjes civile që ekzaminon zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë me një plan që ishte formuluar në vitin 2012, ishte formuar Komisioni për Verifikimin e Diplomave që sot ka kurorëzuar punën një vjeçare me 130 diploma që u janë shpërndarë studentëve.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se Qeveria do të ofrojë mbështetje të plotë në projekte të kësaj natyre duke falënderuar edhe Bashkimin Europian për mbështetjen e këtij projekti.
Bajrami është zotuar se do të vazhdojë puna edhe në nivele tjera arsimore rreth ngritjes së cilësisë në arsim dhe rishikim të teksteve shkollore.
“Ka ardhur koha që ta lëmë pas të kaluarën tonë të hidhur dhe të ketë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Fokusi tjetër i yni parasheh edhe bashkëpunimin me shkolla. Duhet të punohet për largimin e gjuhës së urrejtjes nga tekstet shkollore”, ka thënë Bajrami
Vendimin e MASHT e ka përshëndetur studenti i juridikut nga ky universitet, Nebojsha Dançetoviq i cili shpreson se tani do të ketë mundësi më të mëdha punësimi.
“Verifikimi ka domethënie të madhe për neve për shkak se deri më tani nuk kemi mundur të nënshtrohemi provimit profesional dhe të kërkojmë punësim. Unë nuk kam pasur mundësi t’i nënshtrohem provimit në Prishtinë edhe pse jam lajmëruar në Odën e Avokatëve të Kosovës, për shkak se diploma ime nuk ka qenë e verifikuar. Shpresoj se tani ky verifikim do të ma mundësojë t’i nënshtrohem provimit të jurisprudencës”, tha Dançetoviç
Gazeta ‘Jeta në Kosovë’, ka realizuar një hulumtim rreth gjendjes së teksteve shkollore të historisë në Kosovë dhe Serbi që përbën dallim edhe përbrenda pakicave në Kosovë.
Historia Shkollore në Kosovë dhe Serbi ‘Mjegullon’ Vitet e 90-ta