Foto-ilustrim nga një protestë e gazetarëve në Prishtinë.

Kosova Bie Poshtë në Raportin për Lirinë e Shtypit

Kosova ka vazhduar rënien në ranglistën botërore të shteteve sa i përket lirisë së mediave.

Në raportin e fundit të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, Kosova radhitet në vendin e 90, duke shënuar rënie për tri vende në raport me radhitjen paraprake të vitit 2015.

Në shpjegimin për këtë radhitje, kjo organizatë thotë se ndërhyrjet politike në media janë të shpeshta.

“Të gjitha simptomat e këqija mund të gjenden në Kosovë. Mediat e saj vuajnë nga ndërhyrja direkte dhe indirekte e politikës, presionet financiare dhe pronësia e përqendruar. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh janë akuzuar si ‘tradhtarë’ apo ‘adhurues të Serbisë’. Mediat të cilat nuk ndjekin linjën qeveritare mund të jenë cak i kërcënimeve në formë të inspektimeve financiare apo tatimore”, thuhet në pjesën për Kosovën të këtij raporti

Raporti radhit lirinë e shtypit në 180 vende të botës duke përdorur kritere si pluralizmi, pavarësia e mediave, mjedisi medial dhe vetë-censura, mjedisi legjislativ, transparenca, infrastruktura dhe abuzimet.

Sipas raportit, liria e mediave është e kërcënuar gjithkund.

“Ka pasur një rënie të thellë në respektim të lirisë së mediave si në nivelin global ashtu edhe në atë rajonal”, thuhet në raport.

Trendi është konfirmuar edhe në vendet e Ballkanit ku liria e mediave “ka rënë për shkak të ndikimit në rritje të lëvizjeve ekstremiste dhe qeverive ultrakonservative”.

Vendet tjera në Ballkan kanë lëvizur poshtë e lart në ranglistë me Rumaninë që qëndron në vendin 49 dhe që ka shënuar ngritje për tri vende në krahasim me vitin e kaluar. Serbia është e dyta në vendin 59 me një ngjitje prej 8 vendeve në krahasim me vitin 2015 përderisa Kroacia është në vendin 63 me 5 vende më poshtë se vitin e kaluar.

Bosnja është radhitur në vendin 68, ndërsa Shqipëria ka mbetur aty ku ka qenë në vitin e kaluar, në vendin 82.

Më keq se Kosova janë Mali i Zi në vendin 106, Bullgaria në vendin 113 dhe Maqedonia në vendin 118.