Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Një shoqëri është e lirë po aq sa i ka mediat e lira

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se shkalla e demokracisë matet me nivelin e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.

Madje, sipas tij, një shoqëri është e lirë po aq sa i ka mediat e lira.

Haradinaj tha se janë tejet shqetësuese sulmet që u janë bërë gazetarëve e mediave, nga eksponentë të ndryshëm të pushtetit aktual.

“Liria e mediave duhet të jetë e pacënueshme. Ky është obligim, jo vetëm kushtetues e ligjor, por edhe moral”, tha ndër të tjera Haradinaj.

Krejt në fund ai u shpreh se në këtë ditë duhet të bashkohen në mbrojtje të këtyre vlerave të panegociueshme të demokracisë.

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.