foto-ilustrim

Koreja e Veriut Lëshon Raketë të Re

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë tjetër balistike, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Pentagoni tha se është duke e vlerësuar lansimin “e mundshëm”, i cili ka ndodhur rreth orës 03:30, sipas kohës lokale.

Agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap raportoi se raketa ka fluturuar në lindje të Pjongsongut, në provincën Pjongan të Jugut.

Veriu ka kryer disa prova raketore në muajt e fundit, duke rritur tensionet me fqinjët e tij dhe Shtetet e Bashkuara.

Nuk është e qartë se sa larg ka fluturuar raketa e fundit dhe nëse ajo ka fluturuar mbi Japoni, ashtu si edhe raketat e mëparshme.

Koreja e Veriut ka kryer testin e fundit me raketë balistike në muajin shtator, vetëm disa ditë pasi ka kryer provën e gjashtë bërthamore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është informuar për lëshimin e raketës së fundit derisa ajo ishte ende në ajër, tha Shtëpia e Bardhë.