Konsultime Shtesë rreth Ligjit për RTK-në

Kjo pikë ishte e treta e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, por u shty për ndonjëherë tjetër me arsyetimin e nevojës për konsultime shtesë.

Shtyrja ndodhi për shkak të një letreje që kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli i erdhi nga Unioni i Transmetuesve Publikë Evropianë (EBU) dhe për arsye se edhe Ministria e Financave kishte kërkuar konsultime shtesë, përpara se komisioni të dalë me propozimin e mënyrës së financimit të RTK-së

“Mora një letër që i ka ardhë nga EBU-ja kryetarit të Kuvendit, lidhur me çështjen e financimit të radiotelevizionit publik dhe konsideroj që kjo letër duhet të trajtohet me kohë dhe kemi një kërkesë nga Ministria e Financave që të bëhet një konsultim shtesë para se të nxjerrim propozimin e versionit nga komisioni. Këto dy argumente na bëjnë që pikën e 3-të nga agjenda ta heqim,” tha Zenun Pajaziti, kryesuesi i Komisionit për Administratë Publike.

Sadri Ferati, nënkryetar i Komisionit tha se ende nuk dihet se si do të financohet RTK-ja.

“Edhe sot nuk e kemi përgjigjen, a do të duhet të procedojmë me ligj në shumat me lartësi siç kërkohet 0.7% apo 1.5% nga buxheti, apo duhet të gjejmë forma për parapagim dhe unë besoj se të gjithë e kemi mirëkuptimin të lutemi ose të shpresojmë se shumë shpejt do të kemi bashkëpunimin e zyrave të fuqishme, pra Kryeministri, Kryeparlamentari, Ministri i Financave,” tha Ferati.

Ai paralajmëroi se “akoma nuk e kemi përfunduar mundësinë që RTK-ja të financohet nga parapagimi,”.

Por financimin nga parapagimi e kundërshtoi deputeti Kujtim Paqaku nga Grupi 6+ që tha se nuk do ta votojë.

“Të shmanget parapagimi kur është fjala për komunitetet rome, ashkalinje, egjiptase, ose pjesëtarët e  minoriteteve, sepse gjithmonë bazohemi në gjendjen momentale sociale të tyre që është shumë e vështirë. Nëse kjo formë do të vijë në rend dite në takimet e ardhshme unë e di që do ta rrezikoni komunitetin rom duke pasë parasysh pozitën financiare të këtij komuniteti, pozitën sociale mjaft të vështirë forma e parapagimit nëse aplikohet unë nuk do ta votoj,” tha Paqaku.

RTK-ja edhe më parë është financuar nga parapagimi me anë të taksës së caktuar nga Kuvendi që vinte nëpërmjet faturave të energjisë elektrike. Por një financim të tillë e ndërpreu Gjykata Kushtetuese më 16 tetor 2009.

Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku tregoi se propozimi i EBU-së në formë letre për Kadri Veselin është që të bëhet financimi prej buxhetit krahasimisht me vendet e tjera siç e ka Shqipëria, Bosnja, Maqedonia në vlerë prej 17 deri në 22 milionë euro.

“Propozimet e EBU-së për financim të qëndrueshëm janë që përsëri të vijë e njëjta çështje prej buxhetit. Mirëpo krahasimisht të bëhet me vendet në rajon qysh e ka Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, pra prej 17 deri në 22 milionë euro. Ndërsa aktualisht buxheti i RTK-së është 11 milionë, plus 2 milionë që shkon për marketing,” tha Izmaku.