Anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Juan Vargas

Kongresisti amerikan: Për krimet serbe në Kosovë mësova nga familja që strehova

Anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Juan Vargas, sot ka rrëfyer historinë e një familjeje kosovare nga Podujeva, të cilën e kishte strehuar gjatë luftës në Kosovë.

Sot është zhvilluar një seancë dëgjimore për “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”, në Uashington, nga Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, ku është kërkuar edhe votimi i një rezolute e cila mundëson krijimin e një gjykate e cila do të trajtonte këto krime.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman ka rrëfyer historinë e saj para Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe ka kërkuar drejtësi edhe për viktimat e tjera në Kosovë.

Anëtari i Komisionit për Punët e Jashtme, Juan Vargas, rrëfeu historinë e një familjeje nga Podujeva, e cila kishte migruar në Amerikë gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se kur panë se çfarë po ndodhte në Kosovë, ai bashkë me gruan e tij vendosën që të marrin nën përkujdesje një familje nga Kosova.

“Kjo familje ka jetuar me ne për dy vite, Brahimi, Sevdia, Lirija dhe Blerina. Ata janë nga një vend i quajtur Podujevë. Kështu kam dëgjuar për të gjitha gjërat e tmerrshme që kanë përjetuar. Ata gjithmonë flasin për punën që ju keni bërë (Eliot Engel) dhe Bill Clinton. Çdo herë që shikonin fotografinë e tij ishin shumë të emocionuar. Ata jetojnë në San Diego tani dhe kanë jetë të mirë. Njëra nga vajzat e menaxhon “Wells Fargo”, tjetra është ende në universitet. Burri dhe gruaja janë mirë, ai (Brahimi) është si vëllai im i shtatë sepse kam gjashtë vëllezër dhe ajo (Sevdia) është si motra ime e katërt. Janë njerëz të mrekullueshëm dhe i duam shumë”, ka treguar ai.

Vargas tutje sqaroi se gjatë bisedës më kosovarin ka kuptuar se ata kanë parë shumë mizori dhe se jeta e tyre ishte shumë e vështirë.

Ky kongresist tha se kjo familje së pari ishte larguar për në Maqedoni, më pas kishte shkuar në New Jersey, e që nga aty kanë shkuar në shtëpinë e tij në San Diego.

“Jam i tmerruar pse nuk kemi bërë më shumë për këto krime të luftës dhe unë gjithmonë pyesja Brahimin si ke jetuar më parë dhe ai tregonte se fqinjët po i dorëzonin duke thënë se ‘këta janë myslimanë dhe kosovarë’. Disa prej këtyre fqinjëve kishin kryer edhe mizori të ndryshme. Dhe mos sjellja e këtyre njerëzve para drejtësisë mendoj se është parodi”, tha tutje Vargas.

Në anën tjetër, Vargas shtoi se besonte që Tribunali i Hagës do ta kryente punën më mirë, “por nuk e ka bërë’.

“Krimet janë bërë, dëshmitë i kemi, dëshmitarët i kemi por më duket se nuk po e kemi dëshirën për iniciativë. Shumica e krimeve në Kosovë janë kryer nga serbët, këtë tashmë e dimë”, ka treguar Vargas.

Komiteti për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve ka zhvilluar një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”.

Seanca u zhvillua me qëllim që të kërkohet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se viktimat e dhunuara gjatë luftës duan që historitë e tyre të dëgjohen dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre.

Vasfije Krasniqi Goodman është gruaja e parë në Kosovë që foli publikisht për dhunën seksuale që kishte përjetuar  gjatë luftës së vitit 1999.

Ajo rrëfimin e saj e bëri publik më 16 tetor 2018 duke folur edhe për sfidat në kërkimin e drejtësisë dhe ndëshkimit për dhunuesit e saj.

Historia e Vasfijes

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.

Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.

Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.

Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi Goodmanit.

https://kallxo.com/jahjaga-kerkon-ne-kongresin-amerikan-nje-gjykate-qe-gjykon-ata-qe-dhunuan-gjate-luftes-ne-kosove/

https://kallxo.com/deshmia-historike-e-vasfije-krasniqi-goodman-para-kongresit-amerikan/

https://kallxo.com/beteja-e-humbur-e-vasfije-krasniqit-per-drejtesi-ne-gjykatat-e-kosoves/