Vushtrria

Komuna e Vushtrrisë ndan subvencion për organizatën e anëtarit të LDK-së

Komuna e Vushtrrisë ditë më parë ka publikuar listën e ndarjes së  mjeteve financiare të buxhetit të Komunës për transferim dhe subvencione për OJQ-të dhe klubet sportive për vitin 2018.

Publikimi i kësaj liste ka ngjallur reagime për mosndarje të drejtë të këtyre mjeteve.

Komisioni i veçantë i formuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë ka ndarë 1,800 euro për organizatën “FODEM” e cila vite më parë është themeluar nga zyrtari komunal, Xhavit Mehmeti.

Mehmeti përveç punës në komunën e Vushtrrisë ka qenë edhe asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Kryetar i Forumit Rinor dhe anëtar i kryesisë së degës së kësaj partie.

Në bazë të raportimeve të mediave, Mehmeti në mars të vitit 2014 kishte kaluar nga Aleanca Kosova e Re në pozitën e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri.

Mirëpo Mehmeti kur u kontaktua nga KALLXO.com ka mohuar se është në pozitën e nënkryetarit të LDK-së, mirëpo ai nuk e ka mohuar së është ende anëtar i kësaj paritë e cila tani qeverisë në komunën e Vushtrrisë.

“Jo nuk jam në pozitën e nënkryetarit për momentin. Më herët kam pasur pozitë në LDK si Kryetar i Forumit , anëtar i kryesisë, asambleist. Për momentin kam përcaktim politik por nuk kam ndonjë funksion në LDK”, tha Mehmeti për KALLXO.com.

Ai poashtu shtoi se është themelues i Organizatës “ FODEM”, e cila është përzgjedhur nga Komuna për ndarje të subvencionit.

“Po, unë jam themelues i organizatës “ FODEM”. Është përzgjedhur për subvencion por nuk i ka pranuar ende mjetet”, tha Mehmeti.

Por Hysni Gërguri, kryetar i degës së LDK-së në Vushtrri, e ka pranuar se Mehmeti është anëtar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Për momentin është vetëm anëtar në LDK”, tha Gërguri për KALLXO.com.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha për KALLXO.com se komisioni i cili ka bërë ndarjen e subvencioneve është i pavarur.

“Komisioni është i pavarur dhe unë nuk jam në dijeni cilës organizatë ju kanë ndarë mjetet”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ndërsa Fatmire Cecelia, Drejtoreshë për Kulturë Rini dhe Sport në komunën e Vushtrrisë tha për KALLXO.com se komisioni ka ndarë subvencione në bazë të rregullores e cila është përcaktuar nga Ministria e Financave.