Foto: Kallxo.com

Komuna e Prishtinës hap kontratat

Komuna e Prishtinës ka prezantuar platformën e re digjitale në kuadër të transparencës komunale “Kontratat e hapura”.

Kjo platformë ishte projekt i Open Data Kosova në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe zyrën e UNICEF në Kosovë.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, tha se është detyrë e secilit të tregojë për shpenzimin e parasë publike.

“Kur kemi të bëjmë me paranë publike, është detyrë e secilit të tregojë se ku po shpenzohen paratë publike. Meqenëse kemi shumë kontrata, unë kam kërkuar që të mund të hyjë dhe të shoh të gjitha kontratat”, tha Ahmeti.

Ahmeti po ashtu tregoi se platforma është e hapur për secilin qytetar që dëshiron të shohin projektet që nga fillimi deri në fund.

“Një pjesë të këtij softueri e publikojmë tash për qytetarët dhe tash e kemi një softuer në të cilin secili qytetar mund të hyjë dhe ta shoh secilën kontratë. Kjo është e mirë edhe për gazetarët, të cilët tash mund të shohin online kontratat dhe të shohin sa zgjasin e kur përfundojnë”, shtoi Ahmeti.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi tha se Prishtina do të jetë pjesë e garave ndërkombëtare për kryeqytetin më transparent.

“Tash po vazhdojmë me një platformë të jashtëzakonshme. Tash iu njoftoj se kryeqyteti i Prishtinës do të jetë garues në gara ndërkombëtare për kryeqytetin më transparent, garë e cila do të mbahet në Sllovaki. Kështu që në shtator do të marrim vesh se sa jemi transparent”, tha Nushi.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju tha se Prishtina me këtë platformë po bëhet pjesë e qyteteve të mençura.

“Qasja në informata është një hap i rëndësishëm që dëshmon transparencë dhe përgjegjësi. Komuna e Prishtinës po fillon të jetë pjesë e qyteteve të mençura”, tha Mugaju.