Pamje nga takimi i sotëm i Komisionit për Buxhet e Financa – Foto: KALLXO.com

Komisioni Parlamentar Miraton Projektbuxhetin 2017

Pas një debati të ashpër dhe kritikave, Komisioni për Buxhet e Financa ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2017, i cili tani shkon në lexim të parë në Kuvend.

Gjatë prezantimit të të dhënave të draft-buxhetit, ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se shifrat e paraqitura janë mjaft konzervative. Ai shtoi se Buxheti i paraparë është në pajtim të plotë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe se Qeveria pret që të hyrat vitin e ardhshëm të rriten me rritjen e kapaciteteve në energji elektrike, Trepçën dhe Ligjin për Investime.

“Projektbuxheti është i bazuar në dokumente strategjike të aprovuara nga Qeveria e Kosovës. Ky Buxhet ka edhe pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe si shtet duhet t’u përmbahemi kornizave për të cilat jemi dakorduar me FMN. Ne presim ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike me 4 %, vitin e ardhshëm presim rritje edhe më të madhe. Këto shifra të paraqitura janë mjaft konzervative. Nëse arrijmë progres në projektet madhore, siç është rasti me kapacitete të reja të energjisë, funksionalizimi i plotë i Trepçës, si dhe me Ligjin për Investime, ne do të kemi rritje ekonomike edhe më të madhe” tha Hoti.

Me këtë rast, ministri Hoti theksoi po ashtu se të hyrat për vitin 2017 pret të jenë më të larta për 6 % se sa në vitin 2016 dhe 17 % më të larta se në vitin 2015. Ndërsa sa i përket shpenzimeve, ministri theksoi se 2 miliardë euro krijojnë hapësirë për shpenzime kapitale në të gjithë sektorët: arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë, duke i mbajtur nën kontroll shpenzimet operative.

Por me draft-buxhet nuk u pajtuan disa anëtarë të Komisionit.

Zëvendëskryesuesja e këtij Komisioni, deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, pati shumë kritika rreth draftimit të Buxhetit, duke kritikuar buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës, i cili pjesën më të madhe e shpenzon nga projektet e bartura nga viti i kaluar.

“Ky Buxhet nuk mund të miratohet pa analiza dhe rrethana të mjedisit të jashtëm ekonomik. Ne nuk e dimë sa janë reale projeksionet buxhetore të të hyrave. Unë nuk e di, ministër, si ke mund ta sjellësh Buxhetin pa ia bashkangjitur treguesit makroekonomikë, sepse pa këta tregues ju na keni kthy 12 vjet prapa, në kohën e Haki Shatrit, kur kemi planifiku buxhet. Shifrat e shpenzimeve të cilat i keni paraqitur në këtë draft janë kopjim i Buxhetit të vitit 2016. Ju po thuani se Buxheti i vitit 2017 është Buxhet i investimeve kapitale. Po e marr shembull Ministrinë e Infrastrukturës që ka planifiku me shpenzu 258 milionë euro, që i bie 36% të investimeve kapitale. 244 milionë ministër janë të bartura nga viti i kaluar, kurse vetëm 14 milionë janë projekte të reja”, tha Hadërgjonaj.

Lidhur me pyetjen e deputetes për shpenzimet që janë bartur nga viti i kaluar, ministri Hoti tha se kjo është për shkak të kontratave të nënshkruara jo më 2015 dhe 2016 por në tri-katër vitet e kaluara.

“Ne kemi obligime shtetërore të cilat duhet t’i kryejmë. Është autostrada për të cilën nevojiten edhe 200 milionë euro për ta përfundu. Për hir të transparencës është nënshkru në vitin 2014 pa mbulesë të plotë buxhetore. Janë rrugët regjionale, ajo e Pejës, e Mitrovicës, e Skenderajt që janë nënshkruar dhe tash duhet përfunduar”, tha ministri i Financave.

Vërejtje për draft-buxhetin pati edhe deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina dhe deputeti i NISMA-s, Enver Hoti, i cili e quajti Buxhetin e kaluar buxhet të luksit dhe projektbuxhetin e vitit 2017 e quajti buxhet politik për shkak të, sipas tij, shpërndarjes joproporcionale në investime kapitale.

Pavarësisht vërejtjeve, Projektbuxheti i vitit 2017 u miratua në parim me pesë vota pro dhe tri kundër dhe dërgohet për lexim të parë në Kuvend.