Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, - Foto: KALLXO.com
KOMF kërkon të mos ekspozohet e mitura në media
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar ndaj abuzimit të pretenduar seksual të së miturës në Drenas.
KOMF ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme ndaj dhunuesve të së miturës, duke e cilësuar si formën më të rëndë dhe ekstreme e abuzimit ndaj fëmijëve.
Gjithashtu, KOMF ka kërkuar nga mediat që ta mbrojnë personalitetin të miturës viktimë dhe të shmangin stigmatizimin, duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhet, fotografitë apo të dhënat për fëmijën dhe familjen.
“KOMF dënon ashpër abuzimin seksual të nxënëses, të miturës nga komuna e Drenasit nga të dyshuarit dhe kërkon masat e menjëhershme ndaj tyre të cilët në bazë të obligimeve të tyre ligjore dhe etike, do të duhej të siguronin dhe ofronin mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në reagim.
Organizata kërkon nga institucionet komunale në komunën e Drenasit të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme të gjitha masat dhe shërbimet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e viktimës fëmijë.
“Shërbimet t’i ofrohen edhe familjes, për të siguruar që familja është një mjedis mbështetës, pranues dhe jo diskriminues, i cili gjithashtu i shërben rehabilitimit dhe re-integrimit të viktimës”, thuhet në reagimin e KOMF.
Po ashtu, kjo organizatë u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës të ndërmarrin të gjitha masat për të sjellë para përgjegjësisë dhe për të ndëshkuar të dyshuarit për veprat penale përkatëse (abuzim seksual me fëmijë, keqpërdorim i detyrës zyrtare e të tjera).
KOMF kërkon dhe iu bën thirrje mediave dhe të gjithë qytetarëve që të mbrojnë personalitetin e të miturës viktimë dhe të shmangin stigmatizimin, duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhet, fotografitë apo të dhënat për fëmijën dhe familjen.
“Abuzimi seksual i nxënësve/fëmijëve, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe etike. Abuzimi seksual me fëmijë, bie në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Rregulloret përkatëse të punës së mësimdhënësve”, shton më tej organizata.
“Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e rëndë dhe ekstreme e abuzimit ndaj fëmijëve. Ai lë gjurmë e pasoja afatgjata tek fëmijët të cilat do të ndikojnë më pas gjatë gjithë jetës së tyre. Në të njëjtën kohë abuzimi seksual i shkakton fëmijëve dëm fizik e psikologjik shumë të rëndë, afekton zhvillimin dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen e fëmijës”, thuhet në reagim.