Kamerat - Foto: Rtv21

KMShK kundër iniciativës për hartimin e Ligjit për Media

Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin ndaj iniciativës për hartimin e Ligjit për Media.

KMShK e konsideron këtë nismë si një përpjekje të re për kontroll dhe cenzurë mbi mediat.

Sipas Këshillit të Mediave të Shkruara, legjislacioni aktual në Kosovë e rregullon në mënyrë të plotë funksionimin e mediave dhe konsideron se nuk ka nevojë për ndonjë ligj të ri si ai që po synohet të hartohet.

Bordi i KMShK-së vlerëson se për mirëfunksionimin e mediave mjafton të zbatohen ligjet aktuale që përbëjnë praktikat pozitive të funksionimit të mediave.

“Bordi i KMShK-së e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për të kufizuar lirinë e mediave dhe të shprehjes, nëpërmjet ligjeve të panevojshme”, thuhet në reagimin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.