Foto: RTV 21

KMDLNJ: Zgjedhje të Reja Nëse S’ka Marrëveshje për Demarkacionin

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kërkon që të arrihet marrëveshje e pakushtëzuar për demarkacionin.

Sipas KMDLNj nëse kjo marrëveshje nuk arrihet atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Për demarkacionin apo vërtetimin ose kundërshtimin e vlerësimeve të komisioneve, janë formuar disa komisione kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe janë mbajtur takime dhe konferenca të shumta andaj KMDLNj propozon si kompromis futjen e të gjitha këtyre dokumenteve vlerësuese në pako që të votohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit”, thuhet në reagimin e KMDLNj.

Gjithashtu KMDLNj shkruan se është i pakuptimtë dhe i papranueshëm kushtëzimi me favorizimin apo eliminimin e një komisioni.

KMDLNJ konstaton se deklarata e dy presidentëve duhet të kishte edeh pikën ku do të kërkohej që mospajtimet e mundshme të shkojnë në arbitrazh.

“Për të fituar besueshmëri aneksi i nënshkruar midis presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi është dashur të futet një pikë ku shprehimisht thuhet se ‘nëse edhe pas vërtetimit të gabimeve të mundshme të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 do të ketë mospajtime, atëherë rasti dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, vendimet e së cilës do të ishin të pakundërshtueshme dhe detyruese për të dy shtetet’”, thuhet në komunikatën e këshillit.

KMDLNJ-ja shpreh drojën se me mosratifikim Kosova do të mbetet një vend pa kufij të përcaktuar.

Me mosratifikimin e kufijve që do të pranoheshin ndërkombëtarisht, Kosova rrezikon të mbetet pa kufij, një territor i padefinuar e që do të ishte dëmi shumë më i madh se humbja e vizave”, vazhdon reagimi.

KMDLNj e sheh si të paarsyeshme thirrjen e seancave të jashtëzakonshme nëse nuk arrihet marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit.

“Nëse vazhdohet me këtë maratonë të kalkulimeve politike dhe jopolitike e që për pretekst e kanë demarkacionin, qytetarët duhet të organizohen dhe ta kundërshtojnë këtë veprim të papërgjegjshëm të deputetëve të Kosovës dhe partive politike”, përfundon reagimi.

Ndryshe sot në orën 10:00 pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi./21Media