Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës takojnë imamin e Xhamisë së Madhe dhe drejtuesin e kishës katolike – Foto: Komuna e Mitrovicës

Klerikët e Mitrovicës Paralajmërojnë një Marsh për Paqe Pas Revitalizimit të Urës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka janë takuar sot me imamin e Xhamisë së Madhe, Cenë Bala dhe drejtuesin e ri të Kishës katolike në Mitrovicë, Don Ben Zymi.

Drejtuesit e Komunës dhe klerikët janë dakorduar se qytetit të Mitrovicës i duhet paqe si asnjë qyteti tjetër në Kosovë.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Komuna, drejtuesit e komunës dhe të besimeve kanë deklaruar se të gjitha institucionet shtetërore, publike ashtu edhe ato fetare duhet të japin kontributin e tyre për të mirën e qytetit dhe qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike e fetare.

Gjithashtu ata kanë folur edhe për përkushtimin e përbashkët për të forcuar tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike në komunën e Mitrovicës, për të hapur ura të bashkëpunimit e të mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve.

Zymi e Bala folën për një ide për të cilën thanë se ishte në fillim.

Bëhet fjalë për organizmin e një marshi të paqes në qytetin e Mitrovicës pasi që të përfundojë projekti i revitalizimit të urës kryesore mbi  lumin Ibër.

Kjo ide është mirëpritur nga drejtuesit e Komunës.

“Ideja është me vend dhe e mirëseardhur. Por, për t’u realizuar me sukses ajo, duhet një punë e madhe dhe me përkushtim e drejtuesve fetarë dhe atyre komunalë të Mitrovicës. Duhet të vendosen kontakte me përfaqësuesit e të gjitha përkatësive fetare e etnike dhe të shpaloset ideja, në mënyrë që ajo të jetë e pranueshme për të gjithë dhe vetëm pastaj të fillojnë përgatitjet për realizimin me sukses të saj”, citohet të ketë thënë kryetari Bahtiri.