Pamje nga një takim i Këshillit Gjyqësor - Foto: KALLXO.com

Këshilli Gjyqësor i Kosovës reagon ndaj deklaratave të prokurorëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ndryshme të prokurorëve në lidhje me luftimin e korrupsionit.

“Së fundmi, në opinionin publik dhe në diskursin publik në Kosovë, janë plasuar deklarata të pamatura dhe të pambështetura nga ana e prokurorëve individualë të cilat nuk i shërbejnë më së miri imazhit të gjyqësorit dhe rritjes së besimit të publikut në punën e gjyqësorit”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Më tej, në njoftim thuhet se këto deklarata aludojnë në mosgatishmërinë e gjyqësorit për të luftuar korrupsionin.

“Këto deklarata kanë si emërues të përbashkët hedhjen e përgjegjësisë tek gjykatat duke aluduar në ‘’mos-gatishmërinë e tyre’’ për t’u përballur në mënyrë adekuate më lëndët e korrupsionit, rrjedhimisht duke rezultuar në efikasitet të ulët në trajtimin e këtyre lëndëve, një numër të vogël të aktgjykimeve dënuese dhe dënimeve jo të larta për kryerësit e këtyre veprave”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës i kundërshtojnë fuqishëm këto deklarata si të pa mbështetshme dhe tendencioze për të krijuar konfuzion në opinionin publik në lidhje me punën e gjyqësorit.

“Deklaratat e tilla jo vetëm e ulin besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor, por në sistemin e drejtësisë në tërësi. Të gjithë akterët gjyqësorë duhet të bashkëpunojnë për t’ju siguruar qytetarëve siguri, shërbime gjyqësore efikase dhe në kohë të arsyeshme, në këtë drejtim duhet të vihen në lëvizje të gjithë mekanizmat ekzistues zyrtarë për t’i adresuar çështjet dhe ankesa e palëve”, thekson KGjK.

Krejt në fund, KGjK dhe kryetarët e gjykatave ritheksojnë se janë të përkushtuar për një gjyqësor të standardeve më të larta të pavarësisë, efikasitetit dhe transparencës.