Trina Jahjaga

Këshillat e Mjekut: Infertiliteti në çift dhe trajtimi i tij (VIDEO)

Kohëve të fundit infertiliteti në Kosovë është bërë një problem në rritje.

Derisa para tetë viteve ka qenë problem më i vogël, sot ky problem është rritur edhe në Kosovë, thotë doktoresha Trina Jahjaga, specialiste e gjinekologjisë me obstetrikë.

“Është problem i çiftit, mundet me qenë si pasojë e çrregullimeve organike qoftë të femrës apo të mashkullit por mundet me qenë e pashpjegueshme, do të thotë kur një çift tenton për 1 vjet dhe ka planifiku për me arritë shtatzëninë por nuk ka arritë rezultat automatikisht fillon të kërkohet arsyeja. Rritja e numrit të infertilitetit kohëve të fundit është si pasojë e planifikimit të familjes, është arsimimi. Derisa sot çifti planifikon në mënyrë të barabartë të ecin me arritje shkollore, vetë përfundimi i shkollës, i studimeve postdiplomike, pastaj ta bëjmë një banesë pak më të madhe pastaj fëmijën, bën një bllokadë në kokën e çiftit”, thotë Jahjaga.

Sipas saj, pas një viti të tentimit për shtatzëni duhet të kërkohet ndihmë profesionale nga gjinekologu dhe të bëhen vizita për gruan dhe burrin.

“Nëse një çift 1 vjet tenton për një shtatzëni ka marrëdhënie të rregullta seksuale, duhet të lajmërohet te gjinekologu është hapi i pari që të kërkojnë hapat fillestare se përse nuk po vjen të shtatzënia”, thotë ajo.

Jahjaga tregon se cilat janë hapat që i ndërmerr gjinekologu në këto raste.

“Zakonisht bëhet një vizitë gjinekologjike nga ana e femrës pasi që ajo është që e mban barrën më të madhe për shtatzëni, bëhet vizitë me ultrasonografi vaginale ku vlerësohet gjendja e vezoreve dhe e mitrës forma madhësia e mitrës gjithashtu edhe rezervat e vezoreve ndërsa nga ana e mashkullit bëhet spermogrami”, tha ajo.

Doktoresha thotë se hormonet janë një prej arsyeve kryesore që ndikojnë në fatin e shtatzënisë. Sipas saj, te një grua bëhet analiza e përgjithshme hormonale për të parë një pasqyrë të qartë se si është niveli i saj hormonal.

“Rregullimi i hormoneve apo çregullimi i tyre mund të jetë pasojë e obezitetit. Mbipesha ndikon në çregullimin e metabolizmit të insulinës ku mungon ovulacioni i qelizës vezë; obeziteti ndikon në nivelin e rritjes së prolaktinës, ku është një kokëdhimbje që e përcjellë për një periudhë sidomos para se të arrijë cikli menstrual. Vetë niveli i prolaktinës ndikon në mungesë të ovulacionit. Kur nuk ka ovulacion nuk ka as qelizë vezë për të arritur një shtatzëni”, tha Jahjaga.