Memli Morina, gjinekolog, obstetër. Foto: Kallxo.com

Këshilla për gratë shtatzëna në dimër

Ndryshimi i stinëve të vitit ndikon në disponimin dhe rutinën e çdo njeriut, por kur flasim për gratë shtatzënë ato duhet të kenë kujdes më të madh ndaj vetes .Gjinekologu Memli Morina thotë për KALLXO.com se një grua që ka një shtatzëni normale duhet të shijoj çdo stinë ndërsa aktivitetet e saj duhet të jenë në përputhje me moshën e shtatëzanisë që ka ajo.

“Temperaturat e ulëta nuk është se ndikojnë negativisht te bebja për shkak se trupi i nënës shërben si inkubator që e  mban temperaturën ideale për zhvillimin e bebes pa marrë parasysh a do të jetë temperatura -20 apo +40 beba gjithmonë e ka një temperaturë konstante mirëpo temperaturat e ulëta mund të ndikojnë te shtatzënat e bëjnë lëkurën më të qarë e më të ndjeshme, rrezet e diellit mund të shkaktojnë djegie në fytyrë kështu që duhet të ketë parasysh që fytyra të lyhet me kremra”, tregon doktori.

Ai thotë se një grua shtatzënë është shumë me rëndësi që të jetë aktive dhe të dal jashtë por ajo duhet të ketë parasysh vendet që i viziton.

“E dimë që personat të cilët janë në pagjakësi-anemik ju rekomandohet që të shkojnë në bjeshkë, në lartësi të mëdha mbidetare përqendrimi i oksigjenit është më i ultë dhe organizmi prodhon më shumë rruza të kuqe të gjakut kështu që është e vërtetë që e eliminon pagjakësinë, por përqendrimi i oksigjenit mendohet se ndikon negativisht te bebja për shkak se duke marrë më pak oksigjen bebja mund të ketë ngecje në rritje mirëpo kjo ndodhë në qëndrim afatgjatë e jo disa ditë, qëndrimi afatgjatë mund të ketë efekte të tilla edhe çrregullime të tensionit deri në preeklampsi mirëpo këto lartësitë mbidetare të rrezikshme janë mbi 3 mije e 500 metra, në Bogë lartësia është 1mijë e 500 metra, në Prevallë  1 e 700 metra e Brezovica e ka 2 mijë e 500 metra në këto vendet e regjionit nuk ndikojnë negativisht”, tha Morina.

Sipas doktorit gratë që e duan sportin e skijimit duhet të kenë kujdes sidomos në muajt kur trupi i tyre fillon të ketë më shumë peshë dhe mundësia e lëndimeve është më e madhe.

“Sa i përket skijimi shumë gra kanë dëshirë për të skijuar kjo varet nga muajt e shtatëzanisë dihet se me vazhdimin e shtatëzanisë pesha trupore shtohet dhe duke u shtuar pesha mundësia e drejtpeshimit do të jetë më e vështirë. Shumë lehtë mund të ndodhë përplasja, peshimi dhe mund të rrezikohet rrjedhja e shtatzënisë, nuk është se skijimi direkt ndikon negativisht. Mirëpo fakti që do të ketë mundësi për përplasje kjo do ta rrezikoj shtatzëninë, ndonëse muajt e fundit të shtatëzanisë mund të jetë e vështirë për të skijuar për shkak se edhe veshjet e skijimit rrallë mund të gjenden për shtatzëna kështu që si përfundim qëndrimi në vende me lartësi mbidetare dhe në vende ku skijohet. Mirëpo sa i përket skijimit si sport duhet të jenë të kujdesshme”,  tha Morina.