Memli Morina, gjinekolog.

VIDEO - Këshillat e Mjekut: Hemorroidet dhe konstipacioni në shtatzëni

Në shtatzëni ndodhin disa ndryshime që nga pikëpamja mjekësore njihen si normale dhe të pranueshme por nga pikëpamja e shtatzënës janë shqetësime që ndikojnë në përditshmërinë e saj.

Hemorroidet dhe konstipacioni (kapsllëku) janë problemet më të shpeshta që i prekin gratë shtatzëne.

Gjinekologu obstetër Memli Morina tregon për KALLXO.com se si të trajtohen këto gjendje.

“Hemorroidet janë ajo që në gjuhën e popullit njihet si majasili nënkupton venat e zgjeruara në pjesën e poshtme të trupit rreth anusit të cilat ndodhin edhe jashtë shtatzënisë por te shtatzënat janë më të shprehura. Konstipacioni nënkupton pamundësinë e zbrazjes së rregullt të zorrës së trashë. Ka shpjegim fiziologjik, normal gjatë shtatzënisë prodhohet progesteroni dhe i bën muskujt më të butë, fijet muskulare që gjenden në zorrë do të jenë të tilla dhe jashtëqitja do të qëndrojë më gjatë në zorrë”, thotë ai.

Sipas obstetrit Morina, ekziston lidhja shkak- pasojë.

“Madhësia e hemorroideve dallon mund të jenë të vogla ose me dimesione të frikshme sa edhe shtatëzanat tmerrohen dhe problemi është që gjatë jashtëzitqjes ato mund të qahen. Shkaku i parë ishte konstipacioni mirëpo shkaku i dytë është edhe vetë fakti që brenda barkut por rrihet një fryt dhe kështu fryti dhe mitra me peshën e vet bëjnë shtypje në vendat nëpër të cilat drenohet gjaku dhe ky është efekt mekanik dhe favorizohet shfaqja e hemoroideve”

Sipas doktor Morinës, ka ilaçe që e lehtësojnë gjendjen e konstipacionit te shtatzëanat mirëpo ato nuk kanë efekt parandalues.

“Ka ilaçe të cilat e bëjnë që të lirohet zorra e trashë por ato nuk kanë efekt parandalues. Në mënyrë që të mos rishfaqet, atëherë duhet të bëhen disa aktivitete të cilat e bëjnë më të vështirë që të ndodhë ky shqetësim. Është mënyra si ushqehet gruaja shtatzëanë, ushqimi duhet të jetë me shumë fibra. Ka shumë rëndësi që të ketë mjaftueshëm fruta perime dhe ujë në dietë”, tha Morina.

Morina thotë se është me rëndësi të krijohet rutina e jashtëqitjes së rregullt në mënyrë që zorrët të punojnë normalisht.

Ndërsa sa i përket trajtimit të hemorroideve, ai tha se është mirë të provohet metoda e vendosjes se kompresave të ftohta dhe të nxehta që ato të ndërrohen herë njëra herë tjetra, copa të akullit me një faculetë të vendosura në pjesën e anusit dhe pastaj të kombinohet me një shishe me ujë të nxehtë.