BE Kërkon të Hetohen Akuzat për Vjedhje në Tatime

Bashkimi Europian kërkoi sot hapa konkretë në hetimin e akuzave për vjedhje multi-milionëshe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Kërkesa e BE-së erdhi një ditë pasi emisioni “Jeta në Kosovë” publikoi hulumtimin disamujor rreth një vjedhjeje të organizuar në tatime përmes disa firmave fantome.

Thomas Gnnochi nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se kjo çështje duhet të hetohet.

“Dëshiroj ta komentoj çështjen e cila është bërë publike që ka të bëjë me një mashtrim tatimor”, tha Gnocchi në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të mbledhur sot nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gnocchi tha se korrupsioni në Kosovë nuk është çështje përceptimi, ashtu siç pretendonin gjatë fjalimeve të tyre drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

“Kjo nuk është vetëm çështje e perceptimit, ka nevojë edhe për më shumë rezultate. Kjo nuk ka të bëjë me viza, kjo ka ekzistuar edhe më parë dhe do ta përcjellë Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit europian”, tha Gnocchi.

Duke folur për raportin vjetor të Komisionit Europian për Kosovën, Gnocchi tha se dokumenti tregon situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Raporti thotë se korrupsioni është ende i pranishëm në shumë fusha në Kosovë dhe se Kosova duhet ta forcojë pozitën e vet në luftimin re korrupsionit dhe duhet të arrijë më shumë rezultate konkrete”, tha Gnocchi.

Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu kërkoi mbrojtje për kallxuesit, e në veçanti për Murat Mehmetin i cili foli mbrëmë publikisht për vjedhjet në tatime në ATK..

“Jam i interesuar që të shoh hapa në mbrojtjen e kallxuesve. Murat Mehmeti ka dalë edhe ka folë rreth parregullsive në ATK dhe në Prokurori. Sipas kalkulimeve tona, buxheti i Kosovës është dëmtuar me së paku 25 milionë euro”, tha Ispahiu.

Ai inkurajoi Presidentin dhe Kryeministrin që të takohen me Murat Mehmetin në mënyrë që të sigurohen se ai nuk do të pësojë nga ndonjë masë ndëshkuese në ATK për shkak të këtij denoncimi.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, ka thënë se akuzat që kanë dal në Emisionin Jeta në Kosovë për mashtrim masiv në ATK duhet të hetohen në mënyrë serioze.

“Pajtohem me kolegun tim prej BE-së që akuzat që kanë dalë për mashtrim masiv në ATK duhet të hetohen në mënyrë serioze. Jam i sigurt që organet do të reagojnë”, tha ambasadori rreth të gjeturave që janë prezantuar në Emisionin Jeta në Kosovë.

O’Connell tha se lufta kundër korrupsionit varet shumë nga vullneti politik dhe gatishmëria e institucioneve vendore që të ballafaqohen me këtë problematik.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se Kosova nuk ka çështje më të rëndësishme se korrupsioni për ta adresuar.

“Prej se jam emëruar në këtë post, nuk ka çështje më me shumë rëndësi sesa kjo, deri të përmirësohet. Për ta zgjidhur këtë problem duhet shumë punë e angazhim i të gjithëve. Kjo është arsyeja pse ka shtytje nga ne, duam që Kosova të ketë sukses”, tha Delawie.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se e ka parë emisionin e mbrëmshëm të “Jeta në Kosovë” rreth vjedhjeve në tatime.

“Sa për informim të drejtë ne e kemi trajtuar rastin e Murat Mehmetit, por duhet ta kuptojmë që drejtësia është vlerësim dhe varet nga puna e policisë e gjyqësisë për sigurim faktesh”, tha ai.

“Është e vërtetë se ka pasur mashtrim brenda ATK në vitet e kaluara. Është fjala për 2009, 2010, 2011. Prokuroria e ka trajtuar këtë rast dhe ka ngritur aktakuzë ndaj disa personave”, tha ai

Lumezi tha se kallxuesit e korrupsionit nëpër institucione duhet të mbrohen.

“Askush nuk duhet të ketë të drejtë t’i shantazhojë por kemi shumë mangësi në dispozitat ligjore. Sa i përket mbrojtjes së informatorëve e kemi të rregulluar me kodin e procedurës penale”, tha Lumezi.