Takimi i ministrit me përfaqësues të bizneseve | Foto: KALLXO.com

Kërkohet të Mos Politizohen Reformat Fiskale

Katër çështje kryesore i bënë bashkë kreun e Ministrisë së Financave Bedri Hamza me përfaqësuese të komunitetit të biznesit.

Vendimet të cilat janë marrë më parë për lirimin nga tatimi në dogana për linjat e prodhimit dhe vendimi për lirim nga akciza për lëndë të para, vendimet e reja të cilat pritet të merren, përgatitja e koncept dokumenteve për draftim të projektligjeve që rregullojnë fushën e biznesit dhe mbrojtjen e produkteve prodhuara në Kosovë, ishin temat për të cilat Hamza njoftoi biznesmenët.

“Diskutuam rreth vendimeve të cilat i kemi marrë si Qeveri e Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit të doganës për linjat e prodhimit për prodhuesit vendor, pastaj vendimi që ka të bëjë prej lirimit të tatimit të akcizës për landë të para që përdoren në proces të prodhimit dhe kam kënaqësinë të ju informoj se ecuritë janë në përputhje me planifikimin dhe pritjet tona“ tha ministri Hamza në takim me biznesmenët.

Hamza tregoi edhe për masat tjera që do të ndërmerren për lehtësim të punës së bizneseve.

“Vendimet e reja që janë të përgatitura do të merren shpejt në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit në dogana për pjesët rezervë. Se nuk ka logjikë kur një linjë e prodhimit importohet pa doganë ndërsa pjesët rezervë për linjë të prodhimit paguajnë doganë dhe do të lirohen prej tatimit të doganës të gjitha pajisjet e IT-së”, shtoi ministri.

Çështja e tretë kishte të bënte me koncept- dokumentin i cili ka të bëjë me reformat e legjislacion që e rregullojnë fushën e biznesit- Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për Tatim në Fitim të Korporatave, Ligji për Tatim në të Ardhurat individuale, Kodi i Doganave dhe Akcizës dhe Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, të cilat ministri ua ka dhënë përfaqësuesve të asociacioneve të bizneseve për të dhënë kontributin e tyre deri me datën 5 mars.

“Janë dokumente të cilat janë finalizuar dhe janë në diskutim publik dhe pres normalisht kontributin e asociacioneve të bizneseve. Pas datës 5 mars grupe punuese do të merren me draftimin e projektligjeve. Prapë kur këto projektligje të jenë të përfundume do të jenë në dispozicion të asociacioneve të bizneseve dhe presim që brenda këtij viti këto projektligje t’i përmbyllim”, njoftoi Hamza.

Çështja e fundit u tha se ka të bëjë me mbrojtjen e produkteve të prodhuara në vendin tonë sidomos nga konkurrenca jolegale, grupe të caktuara të produkte që ballafaqohen posaçërisht me importin që vjen prej vendeve aziatike.

Qëllimi i kësaj i kësaj të fundit ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet me prejardhje dhe cilësi të dyshimtë.

Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës shprehu ndrojtjen e tij se po politizohen reformat që po ndërmerren.

“Shprehim një falënderim për punën që është duke bërë Ministria e Financave, por në të njëjtën kohë duhet të jemi pak sa skeptikë. Kam dro që proceset dhe hapat pozitiv që ndërmerren nga Ministria e Financave me kërkesë të komunitetit të biznesit janë duke u politizuar dhe besoj që politizimi i këtyre reformave nuk i bën nder Kosovës, nuk i bën nder zhvillimit ekonomik, në veçanti ardhmërisë së sektorit privat në Kosovë“, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tutje tha se çdo reformë ka koston e vet, një kosto e kësaj reforme në fillim të vitit do t’ia humbasë buxhetit afër 100 milionë euro.

Sipas tij, nëse vërtet mendohet të mbështetet Ministria e Financave në këto reforma edhe në të ardhmen të kemi reforma edhe më të mira bashkarisht duhet të krijojmë fushata vetëdijesuese në luftë kundër informalitetit.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës informoi se ky klub do të fillojë fushatat kundër informalitetit që i përmendi edhe Gërxhaliu.

“Ne e informuam ministrin se si Klub i Prodhuesve të Kosovës shumë shpejt do të fillojmë me një fushatë vetëdijesuese kundër informalitetit se besojmë se e vetmja mënyrë që të kemi një ekonomi të tregut të lirë dhe të jemi aleat i Ministrisë së Financave, lehtësimet fiskale të cilat i pranojmë nga Ministria e Financave duhet të kompensohen diqysh”, tha Panxha.

Përfaqësuesi nga Oda Ekonomike Gjermane Fadil Hoxha tha se ja zotuar para ministrit se do të bëjnë kampanjë për investitorët gjermanë.

“Ne si Odë Gjermane jemi zotu para ministrit se do të bëjmë reklamë të shkëlqyeshme për vendin tonë si një vend që po krijohet çdo ditë e më shumë, po bëhet parajsë për investitorët gjermanë”, tha Hoxha.